Breaking News

Serbia nuk mund t’ia marrë Kosovës Liqenin e Ujmanit

Liqeni i Ujmanit (Gazivodës) gjendet në territorin e Republikës se Kosovës dhe është ndërtuar me fonde të Buxhetit të Kosovës.

Shteti i Serbisë nuk ka bërë asnjë investim në këtë projekt dhe nuk ka të drejtë ligjore që të pretendojë apo tentojë përvetësimin e këtij gjiganti të akumulimit të ujit, thonë ish-funksionarë të lartë të Kosovës në kohën e komunizmit dhe profesorë universitarë në Prishtinë. Liqeni i Ujmanit vlerësohet një ndër pasuritë e Kosovës, i cili shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar më shumicë serbe. Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1979-1984. Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë me sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë dhe 370 milionë kub ujë. Hidrocentrali prodhon 35 megawatt për orë energji elektrike, kurse kanali Ibër Lepenc është 49 kilometra i gjatë. Uji nga ky liqen artificial përdorët për ftohje të termocentraleve në Obiliq, për furnizim me ujë për disa komuna si dhe për ujitje në disa rajone të Kosovës. Në rast të thatësisë si ajo e vitit 2014 uji nga Ujmani përdoret për mbushje të dy liqeneve afër Prishtinës, atij të Batllavës dhe Badovcit. Kohëve të fundit, zyrtarë nga Beogradi kanë bërë me dije se do të dëshironin ta ndanin Kosovën në vija etnike duke aluduar se Kosova do të mund ta humb Ujmanin. Ky liqen menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër Lepenc” më seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës. Në anën tjetër, në Zubin Potok ka një ndërmarrje në pronësi të Serbisë e cila quhet “Ibar” dhe është themeluar në vitin 2002 dhe që Kosovën e konsideron të paligjshme. Udhëheqës të shtetit të Serbisë po insistojnë ta përvetësojë këtë liqen, i cili aktualisht menaxhohet nga serbët, duke thënë se pjesa e Ujmanit është e një rëndësie strategjike për mbijetesën e serbëve në veri. Azem Vllasi, ish-funksionar i lartë i Kosovës në kohën e komunizmit, tani avokat dhe analist politik, tregon se Liqeni i Ujmanit është ndërtuar në atë kohë me mjete të buxhetit të Kosovës.Ai tregon se për realizimin e këtij projekti 45 milionë dollarë janë marrë kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish- Jugosllavisë, kurse obligimet dhe marrëveshjet i kanë nënshkruar njësitë federale, në këtë rast Kosova. Ndërkaq, 45 milionë dollarë të tjera janë siguruar nga buxheti i atëhershëm i Kosovës. “Do të thotë edhe si investim edhe nga aspekti pronësoro- jurdik si resurs publik dhe në çdo aspekt Ujmani ka qenë krejtësisht investim dhe resurs i Kosovës. Dhe tashmë në kufijtë që Kosova është shpallur shtet, Ujmani gjendet brenda këtyre kufijve dhe që Serbia asgjë nuk ka në këtë liqe” thotë Vllasi.

Advertisements