Breaking News

“Nepotizmi dhe mosfinancimi, pengesë për zhvillimin e universiteteve në Maqedoni”

Mungesa e mjeteve financiare për kërkime shkencore, nepotizmi, ndryshimet e shpeshta kadrovike në krye të Ministrisë së Arsimit, mungesa e strategjive nga ana e universiteteve për të ngritur cilësinë në përputhje me kërkesat e tregut, janë disa nga arsyet që Maqedonia nuk arrin të futet në mesin e një mijë universiteteve të Listës së Shangait (renditja akademike e universiteteve në nivel botëror) vlerësojnë njohësit e çështjeve të arsimit.

Nga dikasteri i Arsimit në Maqedoni, konsiderojnë se Ligji për arsimin e lartë, i cili u miratua para tre muajve, paraqet një bazament shumë të mirë që të eliminohen shumë probleme, që e përcjellin arsimin e lartë në Maqedoni.

Ish-ministri i Arsimit në Maqedoni, Sulejman Rushiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se universitetet në vend mbeten larg standardeve, sepse nuk arrijnë të shërohen nga plaga e quajtur nepotizëm, e cila, siç shprehet ai, tashmë ka metastazuar.

“Nevojitet guxim shumë i madh që nepotizmi, si trend, të ndërpritet. Të pastrohet njëherë e përgjithmonë mirë arsimi i lartë nga nepotizmi dhe ai të vendoset në binarë të shëndoshë. Sigurisht se në këtë drejtim rezultatet nuk do të jenë të menjëhershme, por duhet filluar… Reformat në arsim janë si drejtimi i anijeve të mëdha, atyre mund t’u japësh komandë në timon për kthesë tani, po drejtimin e duhur do ta marrë pas një kohe. Arsimi në Maqedoni, për fat të keq, tanimë një kohë të gjatë ka goditur në ajsberg dhe kjo anije e quajtur arsim, duhet të riparohet në tërësi”, thotë Rushiti.

Dona Kostiranova nga Forumi i të Rinjve në Maqedoni, gjatë një bisede për Radion Evropa e Lirë thotë se shteti duhet të ketë prioritet përmirësimin e cilësisë në arsim, sepse është në rritje numri i të rinjve që posedojnë diploma universitare, por nuk janë fare konkurrues në tregun e punës”.

“Faktor shumë i rëndësishëm sa i përket largimit të të rinjve nga Maqedonia është pikërisht arsimi, sepse pos mosfunksionalitetit të shtetit edhe cilësia e arsimit ka një rol të rëndësishëm për braktisjen e Maqedonisë”.

“Të rinjtë kur i shohin mundësitë që u ofrohen jashtë Maqedonisë, nuk mendojnë shumë për gjërat që i humbasin me largimin nga Maqedonia, sepse shumë më shumë fitojnë. Perspektivat janë krejtësisht të ndryshme për një student të Fakultetit të Makinerisë këtu dhe një tjetër që studion po makinerinë në Gjermani. Kjo i demotivon të rinjtë, të cilët japin shumë mund të studiojnë këtu dhe në fund marrin diplomë nga universitetet e vendit që askund(në lista ndërkombëtare) nuk figurojnë”, vlerëson Kosuranova.

Ajo shton se Ligji i ri për arsim të lartë premton shumë vetëm nëse i njëjti jetësohet me përpikëri, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me ngritjen e cilësisë së arsimit sipëror dhe luftimin e korrupsionit në universitete.

“Në Listën e Shangait gjenden shumë universitete të rajonit siç është ai Beogradit, Sofjes, Athinës, Lubjanës … etj, ne sa më parë duhet të vendosim bashkëpunim efikas me këto universitete duke filluar me ato, të cilat janë renditur më lart që të shohim se cilat praktika i kanë bërë të suksesshme dhe këta mekanizma t’i jetësojmë në Maqedoni”, konsideron ajo.

Ndërkaq ish-ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti, thotë se autoritetet qeveritare duhet ta marrin me shumë seriozitet radhitjen aq të ulët të universiteteve të Maqedonisë në Listën e Shangait, sepse vendi me këtë cilësi në arsim, nuk mund të bëhet konkurrues në tregun e punës në BE, pjesë e së cilës synon të bëhet.

“Sigurisht, se arsimi në Maqedoni gjithnjë e më shumë bëhet jo kompaktibil me vendet e Bashkimit Evropian dhe aspak nuk është kompaktibil (në përputhje) me kërkesat e tregut në këto vende, ky çmim është shumë i lartë për të ardhmen e të rinjve”, thekson Rushiti.

Ndryshe, Maqedonia edhe këtë vit nuk ka arritur të renditet në 1 mijë vendet e para të Listës së Shangait, ku rreshtohen universitetet më të mira botërore.

Listën e Shangait çdo vit e publikon universiteti Ciao Tong nga Shangai dhe vlerësohet si njëra ndër listat më kredibile, e cila vlerëson institucionet e larta arsimore. Nga vendet e rajonit, sa i përket cilësisë në arsimin e lartë, në pozitat më lart është renditur Universiteti i Beogradit dhe ai i Athinës, të cilët janë renditur në mesin e 300 dhe 400 universiteteve më të mira, përderisa ai Lubjanës, “Aristotel” i Selanikut dhe Universiteti Teknik i Athinës janë riradhitur në mesin e 400 dhe 500 universiteteve më të mira.

Universiteti në Maribor dhe Universiteti i Zagrebit, janë mes vendeve 500 dhe 600, përderisa Universiteti i Sofjes, i cili gjithnjë e më shumë bëhet atraktiv për të rinjtë nga Maqedonia, është radhitur në mesin e 900 dhe 1000 universiteteve më të mira në botë.

Advertisements