Breaking News

Thaçi e Vuçiq po luajnë me shkrepës, në një ambient “të gatshëm për t’u ndezur”!

Daniel Serwer, profesor në Universitetin John Hopkins në Uashington ka paralajmëruar dy presidentët, atë të Kosovës, Hashim Thaçin, si dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiqin se “po luajnë me zjarrin”.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka shkruar se këta dy presidentë, me idetë e tyre të fundit, për ndarje të Kosovës, përkatësisht korrigjim të kufijve, po luajnë me shkrepës në një ambient që mezi pret për tu ndezur. “Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi po luajnë me shkrepës, në një ambient i cili mezi pret për t’u ndezur”, ka shkruar ai shkurt në Twitter. Ndryshe, gjatë një interviste për mediat, Serwer kishte thënë se ndarja e Kosovës apo ndërrimi i territoreve do të jetë një rrezik i madh për gjithë Ballkanin dhe një gjë e tillë nuk do të pranohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Serwer në një intervistë për mediat amerikane ka thënë se Serbia gjithmonë ka dashur ta ndajë Kosovën, por risi është insistimi i presidentit Hashim Thaçi që ta korrigjojë kufirin në pjesën lindore. Ai ka theksuar se Serbia dhe Kosova tashmë kanë hapur “Kutinë e Pandorës” në Ballkan dhe duhet ta mbyllin sa më shpejt që është e mundur. Analisti Serwer po ashtu ka vlerësuar se nuk beson që ka ndonjë provë të mbështetjes së kësaj ideje nga amerikanët.

Advertisements