Breaking News

BE u bën thirrje sauditëve të qartësojnë arrestimet e aktivistëve të të drejtave të grave

BE i ka bërë thirrje Arabisë Saudite të qartësojë rrethanat që kanë të bëjnë me ndalimet e aktivistëve të të drejtave të grave.

“BE është angazhuar në mënyrë konstruktive me autoritetet saudite duke kërkuar sqarime rreth rrethanave që kanë të bëjnë me arrestimet e grave mbrojtëse të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite, veçanërisht në lidhje me akuzat specifike të ngritura kundër tyre”, tha zëdhënësja e shefes së politikës së jashtme të BE Federica Mogherini. “Ne kemi theksuar rëndësinë e rolit të mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe grupeve të shoqërisë civile në procesin e reformave që po ndjek Arabia Saudite, si dhe rëndësinë e respektimit të rregullave të procesit të trajtimit për të gjithë të arrestuarit”, shtoi ajo. Ndalimi i disa aktivistëve të të drejtave të grave ka shkaktuar një krizë diplomatike mes Arabisë Saudite dhe Kanadasë. Më parë të shtunën, Mogherini dhe Ministrja e Jashtme kanadeze Chrystia Freeland, gjatë një bisede telefonike ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin e tyre në të drejtat e njeriut, si dhe në fusha të tjera. Të mërkurën, kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se vendi i tij nuk do të tërheqë kritikat e tij për shkeljen e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite, duke kundërshtuar një thirrje nga ministri i jashtëm i mbretërisë, Adel al-Xhubeir. Kriza diplomatike Riad-Ottawa ka çuar tashmë në dëbimin e ambasadorit kanadez në Arabinë Saudite dhe tërheqjen e të dërguarit të Arabisë Saudite nga Kanadaja. Sauditët gjithashtu i kanë pezulluar të gjitha fluturimet në dhe nga Kanadaja , kanë ndërprerë tregtinë me këtë vend dhe i kanë urdhëruar studentët e tyre që studiojnë në Kanada dhe pacientët që marrin trajtim atje për të shkuar diku tjetër muajin e ardhshëm.

Advertisements