Breaking News

BE reagon ashpër ndaj sanksioneve amerikane

Nisja e raundit të ri të sanksioneve bërthamore të Amerikës që nga 7 gushti, ka ngjallur reagimin e ashpër të Evropës, Kinës dhe Rusisë.

Evropa e ka quajtur të jashtëligjshëm vendosjen e sanksioneve të Uashingtonit kundër Iranit dhe ka theksuar zbatimin e ligjit bllokues për të ulur ndikimin e këtyre sanksioneve. Amerika ka ushtruar presione mbi vendet e tjera për t’i detyruar ato që të ndjekin sanksionet e reja të Uashingtonit kundër Iranit. Mirëpo ky veprim bie ndesh me normat dhe dispozitat ndërkombëtare. Mina Andreva zëdhënëse e Komisionit të Evropës theksoi se Evropa nuk i njeh sanksionet e Amerikës dhe ka shtuar se kompanitë evropiane janë të lira që të marrin vendim mbi vazhdimin e aktivitetit të tyre në Iran. BE ka vendosur ligjin bllokues kundër sanksioneve amerikane për të ruajtur interesat dhe punën e këtij unioni. Bashkimi Evropian thotë se bashkësia ndërkombëtare ka detyrim për të ruajtur marrëdhëniet ekonomike me Iranin, pavarësisht tërheqjes së njëanshme të Shteteve të Bashkuara nga një marrëveshje multilaterale me Republikën Islamike që mund të pengojë këto marrëdhënie. Duke iu referuar marrëveshjes midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Mina Andreva zëdhënëse e Komisionit të Evropës, tha se Irani ka vepruar në përputhje me detyrimet e tij sipas marrëveshjes bërthamore. “Pra, marrëveshja ka dy pjesë: Irani ndalë programin e tij bërthamor dhe bashkësia ndërkombëtare hap marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Iranin. “Deri më tani, Irani ka vepruar plotësisht në përputhje me angazhimet e tij bërthamore”, ka thënë Mina Andreva. Pavarësisht paralajmërimeve nga BE dhe lojtarë të tjerë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja në maj dhe rifilluan sanksionet kundër Iranit. Uashingtoni gjithashtu tha se vendet e treta që bëjnë biznes me Iranin do të penalizohen me “sanksione sekondare”. Ndërkohë, Irani ka mbetur në marrëveshje, duke theksuar, megjithatë, se angazhimi i tij do të vazhdojë vetëm nëse palët e mbetura mund të sigurojnë tregtinë e vazhdueshme në tregun ndërkombëtar. “Ne po bëjmë çmos për ta mbajtur Iranin në marrëveshje”, tha Andreva në komentet e saj. Ndërsa ministri i jashtëm i Iranit, duke theksuar se bota nuk dëshiron të zbatojë sanksionet anti-iraniane të SHBA, deklaroi se, vende të ndryshme të botës janë duke kundërshtuar fuqishëm këto sanksione. Ministri i jashtëm i RII më tej ka shtuar: “Një arsye që dëshmon se Trump ka armiqësi me popullin iranian është fakti se presidenti i SHBA sanksionet e para që i ka imponuar kundër Iranit, janë ato kundër avionëve”. Zarif po ashtu ka folur edhe për negociatat e Iranit me evropianët në lidhje me marrëveshjen bërthamore, duke thënë se evropianët duhet të tregojnë vullnet politik dhe të veprojnë konkretisht për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes bërthamore. Me Kinën, Indinë dhe Turqinë tashmë në bord për të vazhduar importet iraniane të naftës, Japonia gjithashtu njoftoi se po shqyrton vazhdimin e blerjes së naftës bruto iraniane, pas paralajmërimeve se sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara mbi Teheranin mund të çojnë çmimet e naftës mbi 90 dollarë për fuçi. Përveç katër importuesve kryesorë, edhe Bashkimi Evropian ka deklaruar se nuk do të zbatojë sanksionet e SHBA të cilat do të vendosen në sektorin e naftës dhe të sektorit bankar të Iranit më 4 nëntor. Analistët e tregut botëror të naftës paralajmëruan se çmimet e naftës mund të kalojnë 90 dollarë nëse furnizimet iraniane prej rreth 2.4 milion fuçi në ditë ndërpriten.

Advertisements