Breaking News

Klientët e Iranit sfidojnë sanksionet e SHBA, ndërsa nafta po shkon 90 $ për fuçi

Me Kinën, Indinë dhe Turqinë tashmë në bord për të vazhduar importet iraniane të naftës, Japonia gjithashtu njoftoi se po shqyrton vazhdimin e blerjes së naftës bruto iraniane, pas paralajmërimeve se sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara mbi Teheranin mund të çojnë çmimet e naftës mbi 90 dollarë për fuçi.

Përveç katër importuesve kryesorë, edhe Bashkimi Evropian ka deklaruar se nuk do të zbatojë sanksionet e SHBA të cilat do të vendosen në sektorin e naftës dhe të sektorit bankar të Iranit më 4 nëntor. Analistët e tregut botëror të naftës paralajmëruan se çmimet e naftës mund të kalojnë 90 dollarë nëse furnizimet iraniane prej rreth 2.4 milion fuçi në ditë ndërpriten. “Ndërsa po i afrohemi më shumë tremujorit të katërt, ne me të vërtetë e shohim rrezikun e çmimeve të naftës që shkojnë minimumi 80 $ për fuçi dhe potencialisht edhe mbi 90 $, por shumë kritike është se sa prodhim iranian humbasim”, citon CNBC Amrita Sen, shefe e kompanisë Energy Aspects. Trump ka thënë se mbreti Salman i Arabisë Saudite kishte rënë dakord me kërkesën e tij dhe së shpejti do të rriste prodhimin e naftës deri në 2 milionë fuçi në ditë për të kompensuar mungesat e naftës së Iranit. Por të dhënat e reja të publikuara të hënën treguan se prodhimi i naftës në Arabinë Saudite ra në korrik me 200,000 fuçi në ditë krahasuar me një muaj më parë. Rënia habiti vëzhguesit e tregut, të cilët kishin pritur që Arabia Saudite të kapte kapacitetin e saj të prodhimit dhe të shtonte naftë në treg. “Pa shtesën e naftës saudite që kishim në qershor, është e vështirë të bësh llogari dhe të marrësh një çmim më të ulët duke iu afruar fundit të vitit”, tha John Kilduff, nga instituti studimor amerikan, Again Capital. Vëzhguesit kanë kritikuar thirrjen e Trump për Arabinë Saudite që të rrisë papritmas prodhimin e naftës, duke e cilësuar atë si “zhurmë” politike. “Ju nuk mund të urdhëroni 2 milionë fuçi sikur porosit një kafe diku”, tha Beat Wittmann, një partner në Këshillin Financiar Porta Advisors, për CNBC. Shumë analistë të energjisë besojnë se sanksionet e reja do të reduktojnë shumë më pak eksportet e naftës së Iranit krahasuar me herën e fundit kur rreth gjysma e eksporteve të naftës iraniane u fshinë nga tregu si rezultat i sanksioneve amerikane dhe evropiane. Këtë herë, disa nga metodat krijuese të Iranit në tregtinë me klientët aziatikë, duke përfshirë një sistem shkëmbimi, i cili shmang transferimet e sanksionuara, mund të funksionojë edhe me evropianët. Sipas marrëveshjes, pagesat e naftës së Iranit u depozituan në llogari bankare në vendet  importuese të naftës dhe përdoreshin nga Teherani për të blerë mallra. Wall Street Journal të martën citoi një zyrtar europian që tha se disa vende të BE mund ta konsiderojnë këtë model. Ndër aziatikët, Koreja e Jugut nuk reduktoi blerjen e naftës iraniane muajin e kaluar, por importet indiane u rritën me 118,000 fuçi në ditë. Më e rëndësishmja, konsumatori më i madh i naftës i Iranit, Kina, ka thënë se po përgatitet të blejë edhe më shumë. Megjithatë, ishte Japonia e cila i befasoi shumë vëzhguesit të martën kur tha se i kishte thënë SHBA-së që furnizimi japonez me energji nuk duhet të ndikohet nga sanksionet amerikane ndaj Iranit.

Advertisements