Breaking News

Trump i hakërrehet BE-së mbi vendimin për të mbrojtur tregtinë me Iranin

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka paralajmëruar vende të tjera kundër biznesit me Teheranin, duke thënë se ai kishte imponuar sanksionet më të ashpra.

“Sanksionet ndaj Iranit janë rivendosur zyrtarisht. Këto janë sanksionet më të ashpra të imponuara ndonjëherë, dhe në muajin nëntor ato do shtrëngohen deri në një nivel tjetër,” shkroi të martën Trump në një postim në Twitter. “Kushdo që bën biznes me Iranin NUK do të bëjë biznes me Shtetet e Bashkuara. Po kërkoj Paqen e Botës, asgjë më pak”, shtoi ai. Paralajmërimi i tij me sa duket iu drejtua BE-së, i cili vuri në fuqi një ligj që i ndalon kompanitë evropiane tu binden sanksioneve ose vendimeve të gjykatave amerikane dhe u mundëson atyre të kërkojnë kompensim për dëmet e mundshme. Ministri britanik i Shtetit për Lindjen e Mesme, Alistair Burt, tha se Evropa mund t’i mbrojë kompanitë e saj nga sanksionet e reja të SHBA të cilat u rivendosën të martën, pasi BE aktivizoi një statut bllokues për të mbrojtur kompanitë evropiane nga pasojat e sanksioneve amerikane kundër Iranit. Sipas statutit bllokues, bizneset e BE mund të padisin administratën amerikane në gjykatat kombëtare të shteteve anëtare. Kina, Rusia dhe Turqia kanë treguar tashmë se nuk do të pajtohen me sanksionet e njëanshme të SHBA. Ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë premtuan në një deklaratë të përbashkët të hënën për të punuar për ruajtjen e flukseve financiare dhe eksporteve të naftës dhe gazit të Iranit.

Advertisements