Breaking News

Serbët anashkalojnë qeverinë e Kosovës

Drafti i Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, që është dashur të dorëzohej në Qeverinë e Kosovës, shkon drejt në Bruksel.

Ekipi menaxhues për hartimin e Statutit të  Asociacionit, që përbehet vetëm prej pjesëtarëve të komunitetit serb, pritet që sot ta dorëzojë dokumentin në Bruksel. Analistë politikë në Kosovë e konsiderojnë absurde këtë situatë, derisa në Qeverinë e Kosovës thonë se pas dorëzimit të dokumentit në Bruksel, atje do të ftohet edhe pala kosovare. Qeverisë së Kosovës ende nuk i është dorëzuar drafti i Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (ASK), ashtu siç ishte paraparë. Madje, ende nuk kanë pranuar asnjë ftesë për takim atje. “Qeveria e Republikës se Kosovës nuk ka pranuar ndonjë dokument nga ana e ekipit menaxhues, qe mund te quhet si draft statut i Asociacionit. Ky dokument dërgohet ne Bruksel, ku do te ftohet edhe pala kosovare. Aktualisht ne nuk kemi pranuar dokument dhe as ftesë për takim”, thotë Donjeta Gashi nga zyra për marrëdhënie me mediat në Qeverinë e Kosovës. 4 gushti ishte data e fundit kur ekipi menaxhues duhej ta dorëzonte Draftin e Statutit për Asociacionin. Por, ekipi menaxhues ka vendosur që atë ta dërgojë në Bruksel dhe ekzekutivit kosovar t’ua jap vetëm procesverbalin. Me dërgimin e dokumentit në Bruksel fillimisht dhe jo në Qeverinë e Kosovës, sipas analistit Imer Mushkolaj, tregohet se krijimi i ASK do të bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit, pra me kompetenca ekzekutive. Sipas tij, është absurde që drafti të dërgohet në Bruksel para së të shkojë në institucionet e Kosovës. “Është absurde që drafti i statutit të asociacionit të dërgohet në Bruksel para se të iu shkojë institucioneve të Kosovës, dhe për më keq institucionet e Kosovës, në këtë rast Qeveria, vetëm do t’i marrin procesverbalet nga Brukseli. Pra kjo na tregon se Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, siç kanë thënë vite me radhë ata që e kanë nënshkruar marrëveshjen, por do të jetë fatkeqësisht një institucion me kompetenca ekzekutive që nënkupton një autonomi për veriun e vendit. Dhe, kjo pra është e rrezikshme duke pas parasysh që një autonomi për veriun e vendit do ta defunksionalizojë shtetin e Kosovës”, thotë ai.

Advertisements