Breaking News

Thaçi, Berishës: S’duam këshilla nga ata që bënë tregti me Millosheviçin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar me akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha të Shqipërisë, por pa i përmendur emrin, pasi ky i fundit deklaroi se nuk mund të bëhet tregti me Luginën e Preshevës.

 Në një reagim në Facebook, Thaçi shkruan se nuk ka shkëmbim territoresh, por bashkim të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën. Thaçi shkruan se nuk mund të marrë kritika nga ata që kanë bërë tregti me Millosheviçin. “Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike. Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit. Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës. Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste”, theksoi presidenti i Kosovës.

Advertisements