Breaking News

Shtimi i tensioneve mes Turqisë dhe Amerikës

Me pretekste të ndryshme, tensionet mes Amerikës dhe Turqisë shtohen nga dita në ditë. Presidenti amerikan ka bërë disa kërcënime të reja kundër Turqisë ndërkohë që autoritetet turke kanë reaguar menjëherë. Ibrahim Kalin zëdhënës i presidentit të Turqisë ka thëne se Turqia do t’i përgjigjet çdo kërcënimi për sanksione nga ana e Uashingtonit.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka paralajmëruar Amerikën që të heqë dorë nga gjuha e sanksioneve pasi Ankaraja kurrë nuk pranon këtë gjuhë. Në një konferencë për shtyp me gazetarët presidenti i Turqisë, pasi vuri në dukje se kjo sjellje nuk është në interes të asnjërës palë shtoi se çështja e arrestimit të priftit amerikan është në përputhje me ligjin. Askush nuk ka të drejtë të urdhërojë Turqinë. Ne nuk pranojmë kërcënime. Ligji i shtetit është një për të gjithë dhe askush nuk përbën përjashtim, tha në fjalën e tij Rexhep Taip Erdogan. Tensionet mes Ankarasë dhe Uashingtonit kanë nisur pas arrestimit të një prifti amerikan në Ankara i cili akuzohet për lidhje me organizatën e Fetaullah Gylen. Përveç kësaj Amerika ka krijuar pengesa në shitjen e avionëve F-35 Turqisë për shkak se është e shqetësuar nga shitja e raketave S-400 Turqisë. Ankaraja pretendon se prifti amerikan që ka jetuar më shumë se 2 dekada në Turqi, është i lidhur ngushtë me përkrahësit e Fetaullah Gylen. Ai gjithashtu akuzohet për spiunazh dhe mbështetjen e grupit PKK. Prifti amerikan ka qëndruar në burg për 2 vjet dhe më pas është liruar me kushtin e arrestit shtëpiak. Javën e kaluar ministri i jashtëm i Turqisë në takim me homologun e tij amerikan ka diskutuar për çështje të ndryshme mes tyre arrestimi i priftit amerikan dhe dorëzimi i avionëve F-35. Takimi u mbajt në kohën kur më herët Donald Trump ka kërcënuar Ankaranë se do të sanksionohet në rast se nuk liron priftin amerikan. Javën e kaluar, tensionet Turqi-SHBA u përshkallëzuan me shpejtësi kur Presidenti Donald Trump paralajmëroi “sanksione të ashpra” nëse Turqia nuk do të lironte nga paraburgimi pastorin amerikan Andrew Brunson. Ai ndodhet nën arrest shtëpiak i akuzuar për terrorizëm, akuza që Uashingtoni i ka hedhur poshtë si “të pabazuara”. Ankaraja thotë se çështja u takon gjykatave. Thellimi i përçarjeve mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara po nxit spekulimet se Turqia po i jep shtysë të mëtejshme forcimit të lidhjeve me Rusinë. Zyrtarët e lartë turq janë takuar me homologët e tyre ruse dhe iranianë në vendpushimin detar rus të Soçit, si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes vendeve për zgjidhjen e luftës civile në Siri. “Mund të ndjekim rrugën tonë”, shkruante shtypi turk duke iu referuar një deklarate të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan. “Shtetet e Bashkuara mund të humbasin një aleat besnik dhe të vlefshëm”, ka shtuar zoti Erdogan, si përgjigje ndaj kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, Rusia po përpiqet me sukses të tërheqë Turqinë. “Këto janë marrëdhëniet më të ngrohta që kemi pasur në historinë e republikës turke”, thotë ish-diplomati i lartë turk Aydin Selcen, i cili ka shërbyer në Uashington dhe në Lindjen e Mesme. Dy vendet i kanë thelluar shumë marrëdhëniet e bashkëpunim lidhur me luftën civile në Siri dhe tregtinë. Vendimi i Turqisë për të blerë raketa S-400 nga Rusia po rrit shqetësimet mes aleatëve perëndimorë të Ankarasë. Uashingtoni paralajmëroi se raketat kërcënojnë të komprometojnë sistemet e mbrojtjes së NATO-s. Turqia dhe SHBA janë aleatë në NATO.

Advertisements