Breaking News

Ruhani: Veprimet e Evropës për të kompensuar daljen e Amerikës nga marrëveshja bërthamore, janë të rëndësishme

Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se marrëveshja bërthamore ndodhet në një periudhë historike shumë të rëndësishme, prandaj veprimet transparente të Evropës për të kompensuar daljen e paligjshme të Amerikës nga marrëveshja bërthamore, janë të rëndësishme.

Z. Hasan Ruhani të martën gjatë takimit për të pranuar letrat kredenciale të Robert Macaire, ambasadorit të ri të Anglisë në Teheran, kritikoi moszbatimin e plotë të marrëveshjes bërthamore në sektorët e tregtisë dhe ekonomisë dhe në fushën e marrëdhënieve bankare nga ana e vendeve nënshkruese të kësaj marrëveshje dhe tha se Irani gjithnjë është i gatshëm për të zgjeruar marrëdhëniet e mira me vendet evropiane. Z. Ruhani theksoi: “Republika Islamike e Iranit kurrë nuk ka synuar dhe nuk synon tensione në rajonin e Lindjes së Mesme dhe nuk dëshiron të krijohen probleme në korridoret detare botërore, por kurrë nuk heq dorë nga e drejta e saj për të eksportuar naftën”. Presidenti iranian i cilësoi konstruktive takimet dhe bisedimet e autoriteteve të Iranit dhe Anglisë në fushën e çështjeve bilaterale dhe ndërkombëtare dhe shtoi se në vitet e fundit vullneti i Iranit dhe Anglisë është përqendruar për vendosjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve të mira mes të dy vendeve. Robert Macaire në këtë takim i dorëzoi letrat kredenciale të tij presidentit të Republikës Islamike të Iranit dhe tha se qeveria e Anglisë mbështet zbatimin dhe vazhdimin e marrëveshjes bërthamore. Ai shtoi: “Aktualisht po bëhen përpjekje të gjera dhe të papara mes vendeve evropiane për ta ruajtur marrëveshjen bërthamore, sidomos në sferën ekonomike”.

Advertisements