Breaking News

A po afrohet Ankaraja me Moskën, si reagim ndaj kërcënimit amerikan?

Thellimi i përçarjeve mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara po nxit spekulimet se Turqia po i jep shtysë të mëtejshme forcimit të lidhjeve me Rusinë.

Të hënën zyrtarët e lartë turq u takuan me homologët e tyre ruse dhe iranianë në vendpushimin detar rus të Soçit, si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes vendeve për zgjidhjen e luftës civile në Siri.

“Mund të ndjekim rrugën tonë”, shkruante shtypi turk duke iu referuar një deklarate të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. “Shtetet e Bashkuara mund të humbasin një aleat besnik dhe të vlefshëm”, shtonte zoti Erdogan, si përgjigje ndaj kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar, tensionet Turqi-SHBA u përshkallëzuan me shpejtësi kur Presidenti Donald Trump paralajmëroi “sanksione të ashpra” nëse Turqia nuk do të lironte nga paraburgimi pastorin amerikan Andrew Brunson. Ai ndodhet nën arrest shtëpiak i akuzuar për terrorizëm, akuza që Uashingtoni i ka hedhur poshtë si “të pabazuara”. Ankaraja thotë se çështja u takon gjykatave.

Ndërkohë, Rusia po përpiqet me sukses të tërheqë Turqinë. “Këto janë marrëdhëniet më të ngrohta që kemi pasur në historinë e republikës turke”, thotë ish-diplomati i lartë turk Aydin Selcen, i cili ka shërbyer në Uashington dhe në Lindjen e Mesme. Dy vendet i kanë thelluar shumë marrëdhëniet e bashkëpunim lidhur me luftën civile në Siri dhe tregtinë.

Vendimi i Turqisë për të blerë raketa S-400 nga Rusia po rrit shqetësimet mes aleatëve perëndimorë të Ankarasë. Uashingtoni paralajmëroi se raketat kërcënojnë të komprometojnë sistemet e mbrojtjes së NATO-s. Turqia dhe SHBA janë aleatë në NATO.

Advertisements