Breaking News

SHBA drejt konfrontimit me Iranin?

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA James Mattis ka hedhur poshtë një raport lajmesh se Shtetet e Bashkuara po përgatisin sulm ushtarak kundër Iranit, duke e përshkruar atë si “të rremë”.

Sekretari i mbrojtjes i SHBA pranoi se vendi i tij nuk kishte në plan të sulmonte Iranin. Ai i bëri komentet të premten një ditë pasi media australiane ABC News publikoi një artikull, duke sugjeruar se veprimi ushtarak kundër Republikës Islamike ishte i afërt madje që në muajin e ardhshëm. Sipas raportit, zyrtarët australianë pretenduan se SHBA po kërkonin të bombardonin objektet bërthamore të Iranit. Kryeministri australian Malcolm Turnbull, megjithatë, ka hedhur poshtë raportin, i cili citon zyrtarët e paidentifikuar që kanë thënë se Australia është gati të ndihmojë identifikimin e objektivave të mundshëm nëpërmjet “ofrimit të shërbimit të fshehtë”. “Është spekulim,” tha Turnbull, sipas The Straits Times. “Ajo media po citon burime anonime.” “Historia në ABC, e cila citon burime të larta të qeverisë australiane, nuk ka përfituar asnjë konsultim me mua, ministrin e jashtëm, ministrin e mbrojtjes apo shefin e forcës mbrojtëse”, ka thënë Turnbull për ABC Radio. Duke folur me gazetarët, Mattis tha: “Nuk kam asnjë ide se ku i kanë marrë lajmet australianët.” “Unë jam i bindur se kjo nuk është diçka që po konsiderohet tani dhe mendoj se lajmi është  plotësisht i sajuar dhe i rremë”, shtoi ai. Kur u pyetën nëse SHBA kishte një politikë të “ndryshimit të regjimit apo kolapsit” ndaj Iranit, Mattis tha, ” Asnjë prej tyre nuk është ravijëzuar.” Ndërkohë, komentatori politik konservator i SHBA i televizionit Fox News, Tucker Carlson, tha se Irani është “një forcë e frikshme”, duke paralajmëruar administratën Trump mbi tensionet e shkallëzuara me Teheranin. Tucker Carlson e bëri komentin për Fox News, duke paralajmëruar se konfrontimi i Trump me Iranin mund të shkatërrojë presidencën e tij. “Ne po lëvizim drejt konfrontimit me Iranin. Kjo duhet të shqetësojë të gjithë, por duhet të shqetësojë sidomos përkrahësit e presidentit. Nëse Presidenti Trump vendos të shkojë në luftë me Iranin, ai do të shkatërrojë presidencën e tij, ashtu si Lufta e Irakut shkatërroi presidencën e paraardhësit të tij republikan, Xhorxh W. Bush “, tha Carlson. Gjeneral-Major Kasem Soleimani, komandanti i forcave elitare Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit duke paralajmëruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara, tha: “Ne jemi pranë jush, atje ku as nuk mund ta imagjinoni. Ejani, ne jemi gati, ne jemi njerëzit e këtij mejdani. Ju e dini se kjo luftë do të thotë asgjësim i të gjitha mjeteve tuaja. Ju mund të filloni luftën, por ne do ta përfundojmë atë “.

Advertisements