Breaking News

Të kërkuarit për krime lufte në Kosovë të strehuar në vendet e rajonit

Autoritetet në Kosovë thonë se kanë të dhëna të besueshme se ku mund të ndodhen personat të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte në Kosovë gjatë kohës së luftës së viteve 1998-‘99.

Vendstrehimet e tyre, sipas organeve të ndjekjes penale në Prishtinë janë kryesisht vendet e rajonit, kryesisht në Serbi dhe Mal të Zi, por edhe në vendet tjera të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, thuhet se ka të dhëna për një numër të madh të personave, të cilët dyshohet se kanë kryer krime të luftës në Kosovë dhe numri më i madh i tyre jeton në Serbi. Por, me gjithë dyshimet se këta persona ndodhen në këto vende, organet në Kosovë nuk kanë informacione të sakta edhe për vendbanimet e këtyre personave, për shkak të mungesës së bashkëpunimit, sidomos me Serbinë. Zyrtarët nga Prokuroria thanë se “Kosova mund të kërkojë edhe ekstradimin e tyre nëse do t’u diheshin vendbanimet e sakta”. Ditë më parë, Policia e Malit të Zi, pas katër vjetësh në kërkim, kishte arrestuar Predrag Vukoviqin, një pjesëtar i ish-ushtrisë serbe i akuzuar për krime lufte më 1999, në Kosovë në fshatin Lubeniq. Për këtë rast, organet në Kosovë nuk kishin njohuri, ndërkaq ato në Serbi kërkojnë ekstradimin e tij nga Mali i Zi. Krimet e luftës në Kosovë në shumicën e rasteve janë hetuan nga mekanizma të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. Megjithatë, mijëra vrasje, masakra dhe dhunime kanë mbetur pa marrë gjykimin nga organet e drejtësisë. Përveç numrit të madh të të vrarëve, rreth 19 vjet pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 650 personave, të cilët konsiderohen të pagjetur.

Advertisements