Breaking News

Prishtina: Nëse s’ka vija të kuqe me Serbinë, s’ka as me Shqipërinë

I pranishëm në Morinë për inaugurimin e pikës së re kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, zv/kryeministri i shtetit më të ri në Europë, Enver Hoxhaj deklaroi se nëse Beograd dhe Bruksel mendohet se vija e kuqe nuk duhet të ekzistojë me Serbinë, atëherë kjo, sipas tij, nuk duhet të ekzistojë as me Shqipërinë.

“Pas 12 vitesh, jemi në fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe ende kemi çështje të hapura me fqinjin tonë verior, duam që ky dialog, sa t’i shërbejë normalizimit të plotë në mes të të dy shteteve përmes njohjes së ndërsjellët dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, po aq edhe një pajtimi Kosovë-Serbi pas një konflikti të thellë më shumë se një shekullor. Por, nëse në këtë fazë të fundit, e cila duhet t’i shërbejë stabilitetit dhe sigurisë në rajon, dikush në Beograd dhe Bruksel mendon se sa i takon normalizimit në raport me Serbinë nuk duhet të ketë vija të kuqe, atëherë, nëse këto vija të kuqe nuk vlejnë në raport me fqinjin tonë verior, nuk duhet të vlejnë as në raport me Shqipërinë”, deklaroi Hoxhaj. Ndërkohë që në lidhjen e me investimin e përbashkët mes Shqipërisë dhe BE për ngritjen e kësaj pike të re kufitare, Hoxhaj u shpreh se hapja e pikës së përbashkët kufitare dhe doganore në Morinë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është ndër ngjarjet më të rëndësishme, meqë kjo është pika kufitare më e ngarkuar në kuptimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes vendeve tona, por edhe në Ballkan. “Vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë në Kosovë 24 mijë njerëz që mund të jenë edhe bashkatdhetarë tanë në perëndim por edhe qytetarë të Shqipërisë, si dhe 11 mijë turistë nga Kosova kanë kaluar në drejtim të Shqipërisë që në total mbledh rreth 35 mijë njerëz qarkullim brenda 24 orësh”, tha ai, duke shtuar se “U jemi mirënjohës policisë kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe doganave për punën e mirë, dhe presim nga ta që gjatë verës ta lehtësojnë në maksimum lëvizjen e njerëzve në këtë pikë”.

Advertisements