Breaking News

Ekspertët: Referendumi të përfshijë marrëveshjen për emrin me Greqinë

Partitë politike nuk bëjnë të ditur nëse do të ketë takim të ri, apo përpjekje për arritje të marrëveshjes për referendumin pas dështimeve të bisedimeve të ditës së hënë. Dallimet kanë të bëjnë me pyetjen dhe formën e referendumit. LSDM-ja në pushtet kërkon që pyetja të jetë e lidhur me anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE ndërsa OBRM-PDUKM-ja e opozitës kërkon që pyetja të ketë për bazë ndryshimin e emrit të shtetit, që është edhe esenca e marrëveshjes me Greqinë.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se vendi ndodhet në momente shumë të rëndësishme andaj edhe partitë duhet të bëjnë përpjekje për arritjen e një kompromisi.

“Në parim duhet të ketë vullnet politik, si tek njëra ashtu edhe tek pala tjetër. Nëse një gjë e tillë ekziston mendoj se mund të ketë zgjidhje. Pra, partitë duhet të punojnë për arritjen e një kompromisi por që do të ketë për bazë përcaktimet ligjore për organizimin e referendumit kur qartë është e definuar se si duhet të formulohen pyetjet dhe nëse duhet të përfshijnë një apo më shumë çështje”.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë me interesat e njërës apo partisë tjetër, por këtu kemi të bëjmë me interesat e gjithë qytetarëve andaj edhe dyja palët duhet të punojnë që të ketë një marrëveshje”, thekson Vlladimir Bozhinovski, njohës i çështjeve politike. Megjithatë, ai thotë se pyetja e referendumit duhet të jetë e qartë dhe të ketë për bazë marrëveshjen për emrin.

“Esenca e pyetjes së referendumit duhet të jetë në kontekst të marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe eventualisht me përfshirjen në të edhe të procesit eurointegrues duke theksuar se marrëveshja është arritur për një qëllim të tillë, por edhe të jetë çështja kryesore e pyetjes së referendumit. Është absurde të formuloni pyetjen se a jeni për anëtarësim në NATO dhe BE kur kjo çështje aspak nuk përmendet në marrëveshjen me Greqinë. Pra, pyetje duhet të jetë e pastër dhe e kuptueshme”, thotë Bozhinovski.

Edhe Svetomir Shkariq, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë se pyetja e referendumit duhet të ketë për bazë marrëveshjen për emrin dhe qytetarët me këtë sipas tij duhet të njihen me të gjithë përmbajtjen e saj, e cila zgjidh një problem shumëvjeçar.

“Mendoj se më e mira do të ishte që në referendum të parashtrohet pyetja që ka të bëjë kryesisht me marrëveshjen. Pra, pyetja të jetë në vijë me marrëveshjen. Çdo qytetarë kur të del në referendum dhe kur të merr fletën e votimit së pari do ta ketë parasysh se marrëveshja del nga rezolutat e OKB-së, se me të kapërcehen dallimet me Greqinë për çështjen e emrit, se më nuk do të vlejë referenca e përkohshme IRJM, dhe me këtë vendi do të ketë një emër përfundimtar. Më e rëndësishmja për mua është se me këtë marrëveshje do të konfirmohet partneriteti strategjik me Greqinë, si fqinji jonë më i rëndësishëm”, thotë Shkariq duke theksuar se marrëveshja nuk rrezikon identitetin e vendit siç pretendon opozita.

“Mendoj se bëhet fjalë për një marrëveshje të mirë, nuk kontestohet identiteti i popullit maqedon, por përkundrazi me të theksohet qartë nacionaliteti maqedon. Këtë dikush mund ta interpretoj si shtetësi por kjo mund të kuptohet edhe si përkatësi etnike. Pra, marrëveshja nuk rrezikon në asnjë mënyrë identitetin, gjuhën dhe veçoritë maqedonase”, thotë Shkariq.

Advertisements