Breaking News

G20 i shqetësuar nga politikat tregtare të Trump

Grupi i ministrave të Financave të G20 ka deklaruar se tensionet tregtare mund të dëmtojnë ekonominë globale. Ata kanë apeluar për më shumë dialog për të reduktuar rreziqet pas një samiti dy ditor, të tensionuar, në Argjentinë.

Samiti vjen ndërkohë që SHBA rriti akoma më shumë tensionet të premten duke thënë se është e gatshme të vendosë tarifa për të gjitha importet kineze me vlerë 500 miliardë dollarë. Ministri francez i financave tha ndërkohë se SHBA nuk duhet të negociojë për tregtinë me pistoletën në kokë. Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e G20 thanë se rreziqet ndaj rritjes ekonomike në terma afatshkurtër dhe afatmesëm janë rritur. Është rritur po ashtu vulnerabiliteti financiar, është vështirësuar tregtia dhe janë ndezur tensionet gjeopolitike. Tregtia ndërkombëtare dhe investimet janë një motor i rëndësishëm rritjeje – thanë ata, duke shtuar se e pranojnë nevojën për nisjen e një dialogu dhe aksioneve për të reduktuar rreziqet dhe rritur besimin, thanë ministrat. Samiti i G20 vjen pas përshkallëzimit të luftës tregtare, javët e fundit, me SHBA që hapi zjarr më 6 korrik me tarifa për 34 miliardë dollarë mallra kineze. Që atëherë, SHBA ka përgatitur një listë tjetër me mallra kineze me vlerë 200 miliardë dollarë, që do të tariforen dhe ka kërcënuar edhe me tarifa të tjera. Christine Lagarde, kryetare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), tha se ka shenja të rënies së rritjes ekonomike globale. Ministri gjerman i Financave Olaf Schultz theksoi se Bashkimi Evropian nuk duhet t’i dorëzohet Presidentit të SHBA-së Donald Trump në konfliktin tregtar me Shtetet e Bashkuara. Vendet evropiane janë të shqetësuara për vazhdimin e politikës aktuale të Trump dhe luftërave aktuale të tregtisë. Siç thuhet në deklaratën përfundimtare të takimit të G20, “rritja e tensioneve gjeopolitike dhe të tregtisë ” ka qenë një pengesë për rritjen e ekonomisë globale. Megjithatë ministrat e G20, e vunë theksin mbi multilateralizmin, por shtuan se në rrethanat aktuale, ata nuk janë në gjendje të negociojnë.

Advertisements