Breaking News

Sot ka filluar shembja e murit të izolimit të kosovarëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi janë takuar me Komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.

Pas takimit, presidenti Thaçi dhe komisioneri Avramopoulos, kanë mbajtur konferencë për media. Kreu i shtet ka thënë se vendimi i sotëm i Komisionit Evropian për të shpallur të përmbushur edhe kriterin e fundit në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën është një ndër lajmet më të mira që kanë pritur qytetarët e Kosovës. Sipas tij, kjo përbën një moment historik dhe një njohje e përpjekjeve shumëvjeçare për të ankoruar Kosovën në zemrën e Evropës. Presidenti ka pohuar se liberalizimi i vizave është momenti më domethënës në rrugën evropiane të Kosovës deri në anëtarësimin në BE. “Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane”, ka theksuar ai, duke shtuar më tej se “Lajmi i sotëm  e përmbyllë një cikël shumë të vështirë dhe rigoroz të përmbushjes së kërkesave të Komisionit Evropian. Siç edhe kemi deklaruar edhe më herët, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, dhe sot me plot kuptimin e fjalës, kemi pajtim të plotë me partnerët tanë në Komision Evropian”, ka thënë ai. Thaçi ka shtuar se kjo nuk ka qenë një dhuratë, por një mirënjohje e punës së vështirë që e kemi bërë së bashku. Ai ka shprehur falënderimin për secilin anëtar të delegacionit, Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrat, por edhe për gjithë spektrin politik, opozitën, qeveritë e kaluara, dhe të gjitha institucionet e vendit, organet e rendit dhe ligjit, përfshirë gjykatat për kontributin e vazhdueshëm dhe të paepur në këtë proces. Presidenti ka shprehur zotimin se kjo punë do të vazhdohet me përkushtimin e njëjtë edhe në fazat e mëtutjeshme. “Në përmbyllje më lejoni t’ju shpreh një falënderim të sinqertë për juve personalisht në këtë drejtim, dhe për angazhimin tuaj të madh. Shpërblimi më i madh që mund t’jua ofrojmë është vetë efekti që kjo do të ketë për popullin tonë, për ruajtjen dhe përforcimin e kredibilitetit të vetë BE-së në vendin tonë, por edhe ndikimin pozitiv që kjo do ta ketë edhe për procesin e dialogut”, ka thënë presidenti Thaçi.

Advertisements