Breaking News

BE aktivizon ligjin mbi mbrojtjen e tregtisë me Iranin

Vendet evropiane kanë aktivizuar të martën një statut bllokues që ndalon kompanitë të zbatojnë sanksionet e SHBA ndaj Iranit, tha shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini.

“Sot, Këshilli Europian ka miratuar aktivizimin e aneksit të statutit bllokues për marrëveshjen bërthamore me Iranin,” u tha Mogherini gazetarëve në Bruksel në një takim me ministrat e jashtëm të BE. Statuti bllokues është një ligj i miratuar në vitin 1996 për të mbrojtur subjektet evropiane “kundër efekteve të zbatimit jashtë-territorial të legjislacionit të miratuar nga një vend i tretë”. Ligji në fjalë duhet të hyjë në fuqi më 6 gusht, kur të fillojë grupi i parë i sanksioneve amerikane kundër Iranit. Statuti bllokues do t’i lejojë firmat europiane të evitojnë dëmet nga masat amerikane dhe të anulojnë çdo vendim gjyqësor kundër tyre. Masa është hapi i parë praktik i marrë nga evropianët për të bindur Iranin që të mbetet në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 pas tërheqjes së Uashingtonit dhe kërcënimit të tij për të vendosur sanksione ndaj Republikës Islamike. Zyrtarët evropianë gjithashtu u cituan të thoshin se Franca, Britania dhe Gjermania po përpiqeshin të aktivizonin llogaritë për Bankën Qendrore iraniane me bankat e tyre qendrore për të hapur kanale financiare me Iranin. Qeveritë e tjera evropiane, përfshirë Austrinë dhe Suedinë, gjithashtu kanë thënë se do të konsiderojnë të njëjtën gjë, raportoi Wall Street Journal. Teherani ka kohë që është ankuar se refuzimi i bankave europiane për të procesuar transaksionet lidhur me Iranin është duke penguar kompanitë që të tregtojnë me Republikën Islamike. Ndërkohë, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, si dhe homologët e tyre të BE thuhet se muajin e kaluar kanë paraqitur kërkesa për administratën amerikane, duke kërkuar përjashtime nga sanksionet për tregtinë me Iranin. Uashingtoni, megjithatë, hodhi poshtë kërkesën e nivelit të lartë të vendeve europiane, raportoi të hënën Financial Times. Mogherini tha se europianët “do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për parandaluar që marrëveshja bërthamore e Iranit të shpërbëhet”, por shtoi se ajo nuk ishte e sigurtë se “përpjekjet do të jenë të mjaftueshme”. “Është e parashikueshme që shumë korporata shumëkombëshe dhe bankat e mëdha evropiane dhe jo evropiane mund të mos jenë të gatshme të vazhdojnë bashkëpunimin ekonomik me Iranin nën presionin dhe kërcënimin e Shteteve të Bashkuara”, shtoi shefja e politikës së jashtme të BE.

Advertisements