Breaking News

Ruhani: SHBA nuk mund të vendosë për të gjitha shtetet e botës

Presidenti iranian z. Hasan Ruhani e ka cilësuar si të paligjshme tërheqjen e SHBA nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, duke thënë se nga ky veprim i Uashingtonit nuk përfiton askush.

“Të dy ne pajtohemi se duhet të përpiqemi ta ruajmë këtë marrëveshje. Ne e shohim qartë që lëvizja e SHBA është e paligjshme, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe në dëm të SHBA-ve dhe të gjitha vendeve”, tha Presidenti Ruhani gjatë një konference të përbashkët shtypi me kancelarin austriak Sebastian Kurz, të mërkurën në Vjenë. Kancelari austriak, nga ana e tij, tha se Austria dhe Bashkimi Evropian ishin të angazhuar në zbatimin e marrëveshjes bërthamore, duke shtuar: “Ne shpresojmë që bisedimet që do të zhvillohen në Vjenë në ditët në vijim midis ministrave të jashtëm të palëve të mbetura në marrëveshje rreth zhvillimeve pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara do të kenë rezultate pozitive “. Më parë gjatë ditës, Ruhani zhvilloi bisedime me homologun e tij austriak Alexander Van der Bellen, gjatë së cilës ai tha se Teherani do të mbetet i angazhuar në marrëveshjen bërthamore pa SHBA-të, nëse garantohen përfitimet e tij që rrjedhin nga kjo marrëveshje. Presidenti iranian tha se Irani priste që pesë nënshkruesit e mbetur në marrëveshje të mbajnë të paprekura marrëdhëniet e tyre tregtare me Teheranin përballë sanksioneve të SHBA. “Në bisedimet tona sot kemi theksuar se epoka e unilateralizmit ka mbaruar, dhe një vend nuk mund të vendosë për botën dhe kombet e tjera ose të shkelë sovranitetin dhe pavarësinë e vendeve të tjera, sepse kjo është në kundërshtim me Kartën e OKB, me normat ndërkombëtare dhe në kundërshtim me paqen dhe interesat globale “, shtoi ai. Ruhani tha gjithashtu se  me Presidentin austriak diskutuan lidhjet tregtare, ekonomike dhe kulturore mes Teheranit dhe Vjenës si dhe zhvillimet rajonale, duke përfshirë luftën e Jemenit, luftën e Iranit kundër terrorizmit dhe ndihmën e Iranit ndaj Irakut dhe Sirisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Presidenti austriak, nga ana e tij, kritikoi SHBA-të për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore dhe tha se sanksionet sekondare të Uashingtonit kundër Teheranit shkelin të drejtat e njeriut.

Advertisements