Breaking News

MPJ alarmon: Serbia agresive kundër Kosovës

Fushata agresive e nisur nga Ivica Daçiç, ministri i jashtëm i Serbisë, nuk po ka të ndalur.

Së fundmi, mediat atje kanë publikuar dokumente “zyrtare” ku thuhet se 5 shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Për këtë çështje, Gazeta Express ka marrë një përgjigje zyrtare nga MPJ-ja e Kosovës, të cilët thonë se kanë njoftuar të gjitha instancat shtetërore që nga Presidenti e deri te Kuvendi për presionin në rritje nga Serbia. Raportimet e mediave të Beogradit pothuajse janë të çdo ditshme për tërheqjen e njohjeve nga shtetet që e kanë njohur Kosovën shtet. Së fundmi, u publikuan edhe dokumentet e këtyre “tërheqjeve”. Krejt kjo fushatë tashmë dihet se po bëhet nga Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç. Ky i fundit, shpeshherë ka bërë edhe vizita në shtetet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, për të lobuar që ata ta vazhdojnë mos-njohjen. Për presionin që po e bën Serbia, MPJ në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se kanë njoftuar të gjitha instancat e shtetit, që nga Presidenti e deri të Kuvendi. MPJ thotë se i pari i kësaj ministrie, Behgjet Pacolli në javët dhe muajt e fundit ka zhvilluar vizita në shumë vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën. “Misionet diplomatike të Kosovës po angazhohen me këto vende dhe partnerët tanë po mbështesin përpjekjet e Ministrit Pacolli për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJ. Ata thonë se si rezultat i këtyre përpjekjeve, Madagaskari e ka njohur Kosovën në nëntor 2017, Barbados në shkurt 2018, dhe Guinea-Bissau, Gambia, Liberia, Ghana e kanë ri-konfirmuar njohjen e Kosovës dhe forcuar marrëdhëniet më Kosovën. Dokumentet e publikuara nga mediat në Serbi janë pikërisht për këto shtete që u lart përmenden, kinse tërheqja e njohjes së tyre ndaj Kosovës. Së fundmi, një bujë e madhe u bë edhe kur Daçiç insistoi se shteti i Liberisë ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës. Edhe kjo u demantua nga MPJ por edhe nga vetë shteti i Liberisë përmes një njoftimi publik. Fushata e Daçiçit po shkon duke u egërsuar sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, pasi ata po përdorin ndikimet si në financa, vota në OKB, bursa e mjete të tjera për t’iu bërë presion shteteve që ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës. “Kjo fushatë është agresive me lajme të rreme dhe e mbështetur nga aleatet e saj tradicional. Serbia po përdor instrumente të ndryshme si financat, votimi në OKB, prania e kompanive serbe në kontinente të ndryshme, industria e saj e mbrojtjes, bursat dhe mjete të tjera për t’i bërë presion vendeve të tërheqin njohjen ose të mos e njohin Kosovën”, thotë MPJ. Për këtë presion që po e bën Serbia ndaj një grup vendesh që e kanë njohur Kosovës dhe jo-njohësit, për ta tërhequr njohjen ose mos ta njohin fare, ministri Pacolli ka informuar Presidentin e Kosovës, Qeverinë, Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit të Kosovës. “Kjo është një betejë diplomatike që Kosova e ka fituar që nga viti 2008, por kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve për të promovuar një imazh më të mirë të Kosovës në botë, në mënyrë që vendet të kenë më lehtë njohjen e Kosovës”, thotë MPJ. Nga Ministria thonë se kanë marrë masa për të adresuar këtë sfidë me të cilën Kosova po përballet nga Beogradi. “Po krijojmë kontakte me vendet me të cilat, që nga njohja e tyre, ne nuk kemi pasur bashkëpunim bilateral. Ministri Pacolli ka kontaktuar të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën por nuk ka marrëdhënie diplomatike dhe kjo është një çështje që po i jep personalisht fokus të veçantë”, përgjigjet MPJ. Njohja e Kosovës është një proces i pandalshëm dhe Ministri Pacolli dhe shërbimi i jashtëm janë të angazhuar për të arritur rezultate pozitive, thotë Ministria e Punëve të Jashtme.

Advertisements