Breaking News

Rama-Markoviç: As gardh dhe as kampe refugjatësh

Shqipëria është e gatshme të marrë përsipër barrën e saj të përgjegjësisë në një plan evropian për emigrantët.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një konferencë për shtyp me homologun malazez Dushko Markoviç i pyetur në lidhje me krizën e emigrantëve, u shpreh se, “së bashku me Malin e Zi ne nuk ishim pjesë e korridorit kur filloi kriza e madhe e refugjatëve. Por në çdo tryezë kemi pasur një qasje të qartë. Jemi të gatshëm të marrim përsipër barrën tonë të përgjegjësisë në një plan evropian. Aq sa na takon objektivisht. Nuk kemi pse të jemi as vende gardhesh, as heronj. Kemi pasur 15-fishin e fluksit të një viti më parë. Por si numër relativ nuk është i tillë që ne të vëmë alarmin dhe të trokasim në dyert e Evropës”, tha ai. Rama nënvizoi se, Shqipëria nuk është vendi për gardhe dhe për shfaqje refuzuese ndaj atyre që janë në nevojë ekstreme dhe që ikin nga zona ku kërcënohen jetët e tyre. Ndërsa kryeministri malazez Dushko Markoviç u shpreh se, “për sa i përket emigracionit asgjë e re nuk po ndodh në krahasim me 2015. Fluksi i madh migrator nuk e ka kapur Malin e Zi. Në 2015-ën, Mali i Zi miratoi planin operacional ndaj migrantëve. Sot ka disa arsye politike manipuluese që thonë që ne do të ndërtojmë kampe refugjatësh. Kjo nuk do të ndodhë. Vendi do të jetë i gatshëm për çdo sfidë konkrete”. “Mali i Zi dhe Shqipëria kanë një qasje të përgjegjshme, nuk ka asnjë kërcënim as nga ana shqiptare. Ne nuk parashikojmë as vënien e gardheve, as vënien e kampeve, ne jemi të sigurt, stabiliteti është prioritet i dy qeverive tona dhe mendoj se me përpjekjet e përbashkëta mund të sigurojmë zhvillimin e qëndrueshëm”, tha kryeministri malazez.

Advertisements