Breaking News

Tetë pjesëtarë serbë kërkojnë largimin nga FSK-ja, shkak presioni nga Beogradi

Tetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga komuniteti serb në Batalionin e Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë kërkuar demobilizim apo shkëputje të kontratës nga FSK me arsyetimin se kanë presion shumë të madh nga Beogradi zyrtar.

Zëvendësministri i FSK-së, Agim Çeku, bashkë me Berat Shalën, komandant i këtij batalioni si dhe pjesëtarët e komunitetit serb të cilët kanë kërkuar dorëheqjen kanë zhvilluar takim të përbashkët në mënyrë që ata të mos tërhiqen nga kjo forcë. Ndërsa, në një prononcim të tij zëvendësministri Çeku, ka thënë se kërkesa e tyre për demobilizim do të shqyrtohet në afat prej gjashtë muajsh, për të marrë një vendim më pas. Zëdhënësi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala, ka konfirmuar se tetë pjesëtarë të komunitetit serb kanë kërkuar të largohen nga FSK-ja. ”Inkuadrimi në FSK është vullnetarë dhe FSK është forcë vullnetare dhe profesionale, e për të qenë pjesë e saj duhet të ketë një varg procedurash. E pikërisht këta pjesëtarë i kanë kaluar këto procedura me vullnetin e tyre”. ”Por, ky fakt i ri se kanë kërkuar të largohen është për shkak të presionit që ata kanë nga Serbia edhe forcat politike të tyre këtu”. ”Kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut sepse secili qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë ta jetojë jetën pa ndërhyrjen e askujt. Kemi qenë në dijeni edhe përmes medieve për presionin që po iu bëhet FSK-së. Për këtë arsye janë takuar me ta edhe drejtuesit e FSK-së”. Më tej Zëvendësministri i FSK-së, Ibrahim Shala ka theksuar se kërkesa e tyre për dorëheqje nga FSK, nuk po bëhet për shkak të ndonjë keqtrajtimi. ”Ata nuk bëjnë kërkesë për tu larguar për shkak të keqtrajtimit por për shkak të presionit të jashtëm. Ata kanë marrë një vendim që të rishqyrtojnë këtë pozicion në lidhje me këtë kërkesë që e kanë bërë”.

Advertisements