Breaking News

Tensionet Uashington-Ankara mund të çojnë në mbylljen e bazave të NATO-s në Turqi

Përplasja diplomatike midis SHBA dhe Turqisë u përshkallëzua këtë javë pas këmbënguljes së Ankarasë për blerjen e sistemit raketor S-400 të Rusisë, si dhe me reagimin armiqësor të një ligjvënësi të SHBA-së ndaj rizgjedhjes së Presidentit Erdogan të dielën e kaluar.

Ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të SHBA, Wess Mitchell ka paralajmëruar se Ankaraja do të goditet nga Amerika nëpërmjet Ligjit të Sanksioneve (CAATSA) nëse nuk do të braktiste marrëveshjen e sistemeveS-400 me Moskën, duke shtuar se edhe dërgesat e avionëve F-35 gjithashtu mund të jenë në rrezik. Ndërkohë, Përfaqësuesi Demokrat Adam Schiff u kërkoi ligjvënësve amerikanë të mos e përgëzojnë Rexhep Tajip Erdoganin për rizgjedhjen e tij në zgjedhjet presidencial të së dielës së kaluar, duke sugjeruar se ai ka fituar “vetëm duke e kërcënuar opozitën përmes arrestimeve, dhunës dhe shtypjes së lirisë së mediave”. Komentet e Schiff e nxitën ligjvënësin e Partisë qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim, Egemen Bagis që të reagonte, duke i kërkuar ligjvënësit amerikan “të fillojë pranimin e demokracisë” dhe ” të respektojnë vullnetin e popullit turk”. Bagis shpjegoi se pavarësisht kërcënimeve të SHBA, Ankaraja do të vazhdojë të ndjekë rrugën e vet. “Takimi mes Ministrit të Jashtëm Mevlut Çavusoglu dhe homologut të tij amerikan Mike Pompeo muajin e kaluar, i cili çoi në një “kompromis” në qytetin e kontestuar sirian Manbixh, ishte një nga nismat më të rëndësishme diplomatike në vitet e fundit”, tha Bagis. “Hapat që po ndërmarrim së bashku me aleatët në rajon, veçanërisht në Siri dhe Irak, mund të karakterizohen si një sinjal i rëndësishëm që demonstron synimin e Turqisë për të vazhduar të ndërtojë një ekuilibër në marrëdhëniet me SHBA, Bashkimin Evropian, Rusinë, Sirinë, Iranin , dhe Irakun “, shtoi ligjvënësi turk. Por vëzhguesi politik dhe gazetari turk Ceyhun Bozkurt ishte më pak optimist rreth perspektivave të marrëdhënieve turko-amerikane, duke thënë se kërcënimet e SHBA pas zgjedhjeve të së dielës së kaluar, ishin një shenjë se Uashingtoni nuk do të reduktojë presionin e tij ndaj Ankarasë në periudhën e ardhshme. Duke theksuar se politika amerikane për mbrojtjen ajrore turke synonte ta linte Ankaranë të pambrojtur, Bozkurt theksoi se çështja ishte vetëm maja e një ajsbergu shumë më të madh. Sipas tij, përvoja e viteve të kaluara me sistemet Patriot në Turqi është dëshmi e qartë e këtij qëllimi të SHBA-së. “Ndërkohë, nëse Perëndimi vazhdon t’i përmbahet një qëndrimi të tillë armiqësor ndaj Ankarasë, në të ardhmen mund të flitet për mbylljen e bazave ushtarake të NATO-s në Turqi”, paralajmëroi Bozkurt. “Në fund të fundit, nëse SHBA vazhdon të kërcënojë Turqinë, të dyja palët do të vuajnë, por humbjet më të mëdha nga ky konfrontim do të jenë për vendin që humb një aleat si Turqia”, përfundoi gazetari turk.

Advertisements