Breaking News

Policia e Kosovës dhe Shqipërisë me patrullime të përbashkëta

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi, për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të polici-mit rrugor në territorin e Shqipërisë është nënshkruar për sezonin veror turistik.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është vendosja e bashkëpunimit konkret për parandalimin e shkeljeve administrative në fushën e trafikut rrugor, uljen e numrit të ngjarjeve rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor për krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore, që lidhin dy vendet. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, pas nënshkrimit tha se shërbimi nga ana e PK-së, do të jetë i pranishëm për sigurimin e akseve rrugore dhe disa zona turistike të cilat frekuentohen më shumë nga turistët kosovarë.  “Kjo është një përvojë, e cila tashmë ka disa vite dhe është një përvojë shumë e mirë në drejtim të shkëmbimit qoftë të eksperiencave, por njëkohësisht edhe të parandalimit të aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në Shqipëri”, tha drejtori Veliu. Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit në Policinë e Kosovës, Naim Rexha tha se do të ofrohen shërbime të sigurisë në trafikun rrugor. “Me këtë rast dëshiroj të potencoj që qëllimin e kahershëm, të njëjtë me angazhimet tona të përbashkëta, po e begatoj me modalitete të reja të ofrimit të shërbimeve të sigurisë në trafikun rrugor, dhe jo vetëm në trafikun rrugor, si hallkë e re shtesë të zinxhirit të gjatë të bashkëpunimit tonë të përbashkët me një model shtesë jashtëzakonisht të rëndësishëm të zvogëlimit të fataliteteve gjatë qarkullimit në rrugët publike si pasojë e aksidenteve të trafikut dhe ofrimit sa më të mirë të shërbimeve të trafikut të dy policive respektive, brenda afateve kohore me fokus të veçantë në mbulimin e tërë sezonit veror”, tha Rexha.

Advertisements