Breaking News

Irani nuk do të mbajë bisedime meshtet “mashtrues” si SHBA

Ministri i Jashtëm i Iranit,  Muhamed Xhavad Zarif theksoi se SHBA po shndërrohet në një “shtet mashtrues” duke shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin ndërkombëtar, duke shtuar se Irani nuk do të negociojë me një vend që nuk e mban fjalën dhe përpiqet për të sabotuar marrëveshjet shumëpalëshe njëra pas tjetrës.

Në një artikull të titulluar “Politika e jashtme amerikane në krizë” botuar të mërkurën në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Zarif iu përgjigj një liste kërkesash të paraqitura kohët e fundit nga Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo për një marrëveshje “të re” me Iranin pas tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja ekzistuese shumëpalëshe bërthamore. “Tërheqja e SHBA nga disa marrëveshje ndërkombëtare dhe minimi i të tjerave, së bashku me përpjekjet për të dobësuar organizatat ndërkombëtare, janë shembuj të vendimeve  destruktive të marra nga qeveria amerikane, të cilat për fat të keq kanë errësuar horizontin e rendit ndërkombëtar”, shkruan Zarif. “Si mund të presë qeveria amerikane që të shihet ose të trajtohet si një palë e besueshme në një raund tjetër negociatash serioze pas tërheqjes së saj të njëanshme dhe të pajustifikuar nga një marrëveshje, e cila ishte rezultat i qindra orësh negociata të rënda dypalëshe dhe shumëpalëshe, që u paraqit në Këshillin e Sigurimit të OKB nga SHBA dhe u miratua unanimisht si një angazhim ndërkombëtar sipas nenit 25 të Kartës së OKB”, pyeti Zarif. “Zoti Pompeo ka harruar se qeveria amerikane ka nevojë të provojë besueshmërinë e fjalëve të saj dhe legjitimitetin e nënshkrimit të saj dhe jo të palës që ka përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare dhe i përmbahet fjalës së saj “, vuri në dukje diplomati i lartë iranian.

Advertisements