Breaking News

Transformimi i FSK-së në Ushtri presion ndaj Serbisë

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese është synim i qeverisë së Kosovës, por nuk është hequr dorë që transformimi të mund të bëhet edhe përmes ligjit.

E gjithë kjo nëse ndryshimet kushtetuese janë të pamundshme për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve serbë në kuvendin e Kosovës. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës çdo ndryshim i saj duhet të marrë dy të tretat e votave të 120 deputetëve dhe po ashtu dy të tretat e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës. Në përpjekje për t’i bindur serbët, udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, thonë se “shndërrimi i FSK-së në ushtri të Kosovës do ta forcojë paqen në rajon”, dhe sipas tyre, ‘kjo Forcë tashmë është gati për të marrë rolin që i takon në dinamikën e sigurisë rajonale dhe globale”. Por përfaqësuesit e serbëve të Kosovës tashmë janë deklaruar hapur kundër shndërrimit të FSK-së ushtri dhe për çështje të tilla – siç thonë ata – “koordinohen me qeverinë në Beograd”, e cila po ashtu e kundërshton transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, ka thënë se “shndërrimi i FSK-së në ushtri të armatosur do të ndikojë negativisht në stabilitetin rajonal”. “Serbia nuk pranon dhe nuk do të pranojë transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të armatosura, sepse kjo paraqet edhe shkelje të rëndë të të gjitha marrëveshjeve të deritanishme”, citojnë mediet serbe, ministrin Vulin. Por ky qëndrim i Serbisë nuk i dekurajon institucionet e Kosovës në synimin e tyre. Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, tash në funksion zëvendësministër i FSK-së,  thotë se përpjekjet e institucioneve të Kosovës janë serioze dhe ai beson në procesin e përbashkët të transformimit të FSK-së.

Advertisements