Breaking News

Ivanov nuk pranon marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit/Teksti i marrëveshjes nënshkruhet në Prespë

Presidenti Gjorge Ivanov njoftoi se nuk do ta mbështesë dhe nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen me Greqinë për emrin.

Ai shtoi se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe e keqe për vendin dhe historinë 73 vjeçare. Presidenti tha se procesi i negociatave ka qenë jo-transparent kurse Qeveria nuk ka pasur guxim për të bashkëpunuar me aktorët tjerë në vend.

“Bashkimi Evropian dhe NATO nuk mund të jenë alibi për një marrëveshje të keqe”, tha Ivanov.

Si përfundim ai i bëri thirrje gjithë popullit maqedonas, kudo që ndodhet të mos frikohen sepse ai nuk do të bie pre e asnjë kërcënimi apo shtypje që të tërhiqet nga qëndrimi i tij, raporton Alsat-m.

Ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikola Dimitrov dhe Nikos Katzias,  pritet të nënshkruajnë gjatë fundjavës, në media flitet të shtunën, marrëveshjen për ndryshimin e emrit për Republikën e Maqedonisë.

Republika Veriore e Maqedonisë është emri për të cilin janë dakorduar të dy kryeministrat.

Në takimin që do të zhvillohet diku në Prespë, do të marrin pjesë gjithashtu kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras.

Ende e pabotuar, kjo marrëveshje tashmë ka shkaktuar reaksione të shumta lidhur me pranimin e pothuajse të gjitha kushteve të vendosura nga pala greke.

Presidenti Ivanov pasi e shqyrtoi, marrëveshjen e cilësoi si personale të Zaevit e Dimitrovit dhe tha se me të shlyhet kontinuiteti kushtetues, historia dhe sovraniteti shtetëror i Maqedonisë. Ivanov tha se nuk do ta firmos të njëjtën dhe asnjëherë nuk do të zmbrapset nga ky qëndrim pavarësisht presioneve.

Ivanov tha se anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE nuk mund të jetë alibi për një marrëveshje të dëmshme. Në linjë të njëjtë ishte edhe lideri i opozitës, Hristijan Mickoski.

Për Mickoskin është e papranueshme kjo marrëveshje kapitullimi, çmimin e së cilës qytetarët do ta paguajnë me dinjitetin dhe nderin e tyre.

Ai paralajmëroi se do të prononcohet sërish pasi ta shqyrtojë marrëveshjen në parti dhe të konsultohet ndër tjerash edhe me Kishën Ortodokse Maqedonase dhe Akademinë e Shkencave të Maqedonisë.

Advertisements