Breaking News

Ivanov nuk pranon marrëveshjen me Greqinë

Presidenti Gjorge Ivanov njoftoi se nuk do ta mbështesë dhe nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen me Greqinë për emrin.

Ai shtoi se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe e keqe për vendin dhe historinë 73 vjeçare. Presidenti tha se procesi i negociatave ka qenë jo-transparent kurse Qeveria nuk ka pasur guxim për të bashkëpunuar me aktorët tjerë në vend. “Bashkimi Evropian dhe NATO nuk mund të jenë alibi për një marrëveshje të keqe”, tha Ivanov. Si përfundim ai i bëri thirrje gjithë popullit maqedonas, kudo që ndodhet të mos frikohen sepse ai nuk do të bie pre e asnjë kërcënimi apo shtypje që të tërhiqet nga qëndrimi i tij, raporton media lokale Alsat-m. Ndërkohë, Komisari evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn në një intervistë për mediat e ftoi kryetarin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov të marrë përgjegjësi në procesin e marrëveshjes me Greqinë. “Nuk është e përshtatshme për një kryetar shteti të refuzojë bisedime me kryeministrin, ministrin e punëve të jashtme, për të pranuar informata të dorës së parë. Mendoj se kryeministri dhe ministri për punë të jashtme plotësisht i kanë respektuar parimet kushtetuese dhe vetëm mund të ftoj kryetarin Ivanov urgjentisht të marrë përgjegjësi”, tha Hahn. Hahn theksoi se kjo nuk është çështje e pranimit ose jo, por në demokraci pritet që funksionarët të komunikojnë mes veti dhe të diskutojnë dhe nuk duhet të harrojmë se kreu i shtetit në një mënyrë është edhe model për shumë qytetarë të vendit. “Kryetari i shtetit, si person i zgjedhur me votim nga qytetarët, ka pozitë dhe përgjegjësi të veçantë dhe duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë, përndryshe e dëmton funksionin kryetar shteti”, deklaroi Hahn.

Advertisements