Breaking News

Liderët e Kosovës më të pasurit në vend

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar formularët e deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, raporton media kosovare KTV.

Më të pasurit vazhdojnë të mbeten krerët e institucioneve dhe kryetarët e partive, që kanë miliona pasuri. Afër një milion euro është vetëm pasuria e paluajtshme e kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilën e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Haradinaj aty ka deklaruar edhe para të gatshme prej 5 mijë eurosh, ndërsa nga të hyrat vjetore si kryeministër ai përfiton rreth 90 mijë euro. Aktualisht paga e tij është 1 mijë e 330 euro, të cilën pritet ta marrë dyfish më të madhe nga muaji i ardhshëm. Kryeministri merr edhe pension invalidor prej 2 mijë e 700 eurosh në vit. Veç kësaj, vetëm pak ditë para se të merrte udhëheqjen e qeverisë, Haradinaj kishte blerë banesë 213 metra katror, vlerën e së cilës e ka përcaktuar vetëm 70 mijë euro. Për dallim prej kryeministrit, i cili është pasuruar, presidenti Hashim Thaçi, në bazë të deklarimit të pasurisë, është varfëruar. Krahasuar me një vit më parë, kur presidenti në llogari të tij kishte para të gatshme në vlerë prej 500 mijë euro, tani ka vetëm 150 mijë. Në bazë të deklarimit, prej këtyre mjeteve, mbi 139 mijë euro janë të tijat, ndërkaq 10 mijë euro të djalit të tij, Endritit. Thaçi ka kredi në vlerë prej 100 mijë euro, të cilën e ka marrë për ndërtimin e shtëpisë në Çagllavicë. E pasuria e paluajtshme e të parit të shtetit arrin milionat. Ai të përbashkët ka një tokë bujqësore 7 hektarë në vlerë 180 mijë euro dhe po ashtu një shtëpi të përbashkët në vlerë prej 80 mijë eurosh. Në pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë të bashkëshortes në vlerë 15 mijë euro dhe një tjetër të përbashkët në vlerë prej 23 mijë eurove. Ndërkaq, pagë vjetore presidenti merr hiq më pak se 32 mijë euro e mëditje në vlerë prej 10 mijë eurosh. Me pasuri larg nuk është as ish-bashkëpartiaku i Thaçit, kryekuvendari Kadri Veseli. Përveç banesës në vlerë prej 97 mijë eurosh në qendër të Prishtinës, shtëpisë së trashëguar dhe tokës, Veseli është pasuruar në mars të këtij viti edhe me një lokal afarist, i blerë nga kursimet, kredia dhe shitja e një banese. Derisa Veseli ka deklaruar para të gatshme 37 mijë euro, bashkëshortja e tij ka më shumë para të gatshme sesa ai, të cilat arrijnë vlerën e afër 100 mijë eurove.

Advertisements