Breaking News

Katari nuk do përfshihet në luftën kundër Iranit

Katari ka hedhur poshtë fuqishëm idenë e pjesëmarrjes në një konflikt ushtarak kundër Iranit, duke theksuar se Doha nuk do të nxisë një luftë në rajonin e Gjirit Persik.

Khalid bin Muhamed al-Attiyah, zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes i Katarit, në një konferencë ndërkombëtare të sigurisë në Singapor të dielën, tha  se Katari nuk do të përfshihej në ndonjë konflikt të kësaj natyre. “A është e udhës t’i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit të shkojnë e të luftojnë kundër Iranit? … Nëse ndonjë palë e tretë po përpiqet ta shtyjë rajonin ose ndonjë vend jashtë rajonit për të filluar një luftë kundër Iranit, kjo do të jetë shumë e rrezikshme “, deklaroi ministri i mbrojtjes i Katarit. “Për mendimin tim, Shtetet e Bashkuara janë më të mençura, sesa të hyjnë në një luftë me Iranin “, shtoi ai. Ministri katariot nuk përmendi asnjë palë, por qartas iu referua Arabisë Saudite, e cila me aleatët e Gjirit Persik ka udhëhequr një bllokadë kundër Katarit që nga qershori i vitit të kaluar. Kanali televiziv katariot al-Jazeera në një raport të dielën tha se njerëzit që jetojnë në Katar nuk mund të harrojnë fqinjët që u treguan të gatshëm të ndihmojnë kur ata më së shumti kishin nevojë. Irani ishte një nga vendet që ndërhyri shpejt për të ndihmuar që raftet e supermarketeve të Katarit të mbeten të pajisura mirë, shtoi al-Jazeera.

Advertisements