Breaking News

Amerika e izoluar në G-7

Sekretari Amerikan i Thesarit, Steve Mnuchin u përball me kritika të ashpra të ministrave të financave të vendeve të G7-ës, në lidhje me vendosjen e tarifave të reja nga Amerika, për importet e çelikut dhe aluminit.

Bruno La Maire, ministri francez i financave, i zemëruar paralajmëroi se lufta tregtare mund të fillojë brenda pak ditësh. Në të njëjtën kohë, Sekretari Amerikan i Tregtisë Wilbur Ross u takua me zëvendëskryeministrin kinez Liu He në Pekin për të zbutur tensionet tregtare. Kina ka paralajmëruar se të gjitha bisedimet tregtare midis Pekinit dhe Washington do të anullohen nëse SHBA vendos sanksione tregtare. Pas bisedimeve midis zëvendëskryeministrit Liu He dhe sekretarit amerikan të tregtisë Wilbur Ross, Kina tha se ishte gati të rriste importet nga shumë vende. Vizita e Ross në Kinë vjen disa ditë pasi Washington kërcënoi se do të vendoste tarifa shtesë në mallrat kineze me vlerë 50 miliardë dollarë. Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump, nëpërmjet një postimi në Twitter vijon të këmbëngulë se SHBA-të kanë qenë të mashtruara në këtë tregti. Ai shprehu bindjen se tarifat e çelikut do të mbrojnë prodhuesit e çelikut në SHBA, të cilat ai thotë janë jetësore për sigurinë kombëtare. Z. Trump gjithashtu është ankuar për pengesat që firmat amerikane përballen në Evropë dhe gjetkë. Ajo që përflitej kaq shumë, pra lufta tregtare, tashmë ka filluar. Tarifa ndëshkuese për çelikun europian, kjo nuk është ndonjë gjë e re. Këtë u përpoq ta fuste edhe George Bush në fillim të mijëvjeçarit, dhe dështoi keqazi. Megjithatë doganat janë realitet dhe europianët po përgatisin kundërgoditjen. Tashmë Europa duhet të flasë me një zë, por nuk po e bën këtë. Gjigandi eksportues, Gjermania, që preket më shumë nga tarifat, nuk i bëhet vonë për Brukselin, por po ndjek rrugën e vet. Sigurisht do të ishte mirë, nëse bashkohen të gjithë ata që vuajnë nën politikën impulsive të presidentit amerikan. Por gjasat nuk duken për këtë. Gjithsekush do të përpiqet për vete të zvogëlojë dëmin sa të mundet. Tani do të ishte ora e Organizatës Botërore të Tregtisë, OBT, por ajo vetë lufton për mbijetesën. OBT është për multilateralizmin, si shumë institucione ndërkombëtare. Trump për të kundërtën dhe rregullat e OBT nuk i interesojnë atij. Për momentin deviza është: sytë mbyllur e përpara. Për Brukselin politik, rrjedha e konfliktit tregtar transatlantik është një zhgënjim i thellë. Por habi nuk tregon askush. Që në ditët e fundit ky zhvillim po bëhej gjithnjë e më i qartë. Ishte komisarja e BE-së për Tregtinë, Cecilia Malmström së fundmi që u largua nga Parisi pa sukses, kur së bashku me ministrin gjerman të Ekonomisë, Peter Altmeier, homologun francez Bruno Le Maire, dhe atë amerikan, Wilbur Ross bëri përpjekje për një kompromis. Tani BE do të reagojë me kundërmasa, si ato të parashikuara në rregulloret e Organizatës Botërore të Tregtisë. Komisarja e BE-së për Tregtinë ka mbështetjen e plotë të deputetëve europianë për të iniciuar kundërmasat e “diskutuara gjatë”, thekson Daniel Caspary, kreu i grupit konservator, CDU/CSU në Parlamentin Europian. Me këtë nënkuptohet lista me produkte amerikane që BE ka bërë gati për çdo rast konflikti tregtar. Nga mesi i qershorit do të bëhen efektive kundërmasat europiane. Me këtë Europa respekton rregulloren e OBT për 30 ditë detyrim informimi.

Advertisements