Breaking News

Në Maqedoni doktorojnë që të ruajnë vendet e punës

Nga gjithsej 209 doktorantë të vitit të kaluar, 66 apo 31.6 për qind ishin të punësuar në institucione arsimore. Pastaj në radhë vijnë të punësuarit në institucione shëndetësore dhe mbrojte sociale (39) me 18.6 për qind, shtetasit e huaj (27) me 12.9 për qind dhe krejt në fund – ata që janë të punësuar në shërbimet financiare dhe të sigurimeve me 0.9 për qind (2). Shpjegimi është logjik – pjesa më e madhe doktorojnë që të ruajnë vendet e tyre të punës

Puna nëpër fakultete dhe institucione të tjetra arsimore duket se është një prej motiveve kryesore që i shtyn njerëzit të merren me shkencë në nivel të dezertacioneve të doktoraturës. Këtë të paktën e tregojnë të dhënat statistikore për numrin e doktorantëve të vitit të kaluar, pjesa më madhe e të cilëve vijnë nga bota akademike apo nga ata që vetëm se janë të punësuar nëpër institucione arsimore. Kështu, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se në këtë kategori janë çereku i atyre që kanë mbrojtur teza shkencore në vitin 2017, respektivisht që kanë paraqitur dezertacionet e doktoraturës, shkruan gazeta KOHA. E thënë ndryshe, shumë doktorantë të këtij viti, kishin synuar të marrin gradat shkencore që të ruajnë vendet e tyre të punës si profesorë në universitete dhe institute shkencore.

Kështu, 31.6 për qind apo 66 nga gjithsej 209 doktorantë ishin të punësuar në institucione arsimore. Pastaj vijnë në radhë të punësuarit në institucione shëndetësore dhe mbrojte sociale me 18.6 për qind (39), shtetasit e huaj me 12.9 për qind (27) dhe krejt në fund ata që janë të punësuar në shërbimet financiare dhe të sigurimeve me 0.9 për qind (2). Vetëm tetë prej atyre që kanë doktoruar këtë vit, nuk ishin të punësuar.

Shpjegimi lidhur me trendet e nxitjes për marrjen e thirrjeve shkencore është logjik. Ligjet për arsim të lartë i detyrojnë të gjithë ata që synojnë punësimin në universitete të kenë domosdoshmërisht të regjistruar edhe shkallën e tretë të studimeve dhe që të mund të ruajnë pozicionet që kanë apo edhe të synojnë për më lartë, duhet të kenë fituar thirrjen shkencore nga fusha përkatëse e lëndës ku janë të punësuar si asistentë doktorantë. Nuk është e rastësishme që ka edhe një përputhje tjetër, mes fushave në të cilat doktorohet dhe programeve studimore të universiteteve.

Sikurse dihet, në nivelin e arsimit të lartë peshën më të madhe të studimeve në Maqedoni e mbajnë fakultetet e shkencave shoqërore, të cilat numërojnë edhe numrin më të madh të programeve dhe studentëve që regjistrohen në to. Në analogji të kësaj si dhe të asaj që numri më i madh i doktorantëve janë të punësuar në institucione arsimore, korrespondojnë edhe të dhënat për numrin e doktoraturave sipas fushave shkencore.

Kështu, nëse u referohemi shifrave për fushën e studimeve, pjesa më e madhe e doktoraturave janë të shkencave shoqërore edhe atë me një pjesëmarrje prej 47.8 për qind të numrit të përgjithshëm të dokoraturave të atij viti, apo 100 doktoratura nga 209 gjithsej. Edhe këtu vërehen dallime brenda llojit. Dominojnë doktoraturat që kanë në fokus tema ekonomike (33) dhe arsimore (12) dhe janë në epërsi nëse krahasohen me numrin e doktoraturave që trajtojnë tema sociologjike (2) apo demografike (1). Në sferat tjera shkencore bie numri i doktoraturave nga mjekësia (46), shkencat humanitare (44), shkencat teknike (22) e deri te shkencat matematike-natyrore (13).

Një e dhënë tjetër, e cila bie në sy viteve të fundit, raporton KOHA, ka të bëjë me pjesëmarrjen e lartë të femrave që merren me shkencë. Jo vetëm në kategorinë e magjistrantëve, por edhe të doktorantëve, 2017-ta u dominua nga femrat. Kështu, nga 1851 persona të cilët magjistruan vitin e kaluar, 1083 apo 58.5 për qind ishin femra, ndërsa në kategorinë e doktoraturave – nga 209 gjithsej, 123 doktorantë apo 58.8 për qind ishin femra. Edhe këtu dominojnë tezat nga shkencat shoqërore.

Advertisements