Breaking News

Prokuroria e Kosovës merret me konfliktin fizik Haliti-Gashi

Konflikti fizik mes deputetëve Xhavit Haliti dhe Arben Gashi, i cili erdhi pas konfliktit verbal, nuk ka kaluar pa vëmendjen e Prokurorisë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, tha se ka kërkuar nga Policia e Kosovës informata lidhur me përleshjen fizike në mes të deputetit të PDK- së, Xhavit Haliti dhe atij të LDK- së, Arben Gashit që ndodhi të premten në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Konkretisht, kryeprokurori Beka tha se ka kërkuar të dijë se deri ku është arritur me hetime dhe tha se këtë informatë do ta ketë së shpejti.

“Kam kërkuar të di rezultatin e hetimeve deri më tani, pra deri ku është arritur me hetime”, tha Beka, pwr Kallxo.com.

Për të ditur se ku janë hetimet dhe a është iniciuar rast, Kallxo.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, por zëdhënësi i saj, Baki Kelani i është shmangur pyetjes direkte duke thënë se policia këtu nuk ka punë.

“Po doni me bo temë me Policinë, thirri palët tjera”, ka thënë Kelani, i cili kur është pyetur se kush flet në emër të Policisë e cila operon në Kuvend, ka thënë “Kryesia e Kuvendit”.

Advertisements