Breaking News

Liderët botërorë: Transferimi i ambasadës amerikane do të shtojë dhunën

Miqtë dhe armiqtë e Shteteve të Bashkuara kanë shprehur kritika pasi Uashingtoni e ka zhvendosur ambasadën e tij në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem, duke thënë se ky veprim do të ndezë tensionet në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

“Ne nuk pajtohemi me vendimin e SHBA për të lëvizur ambasadën e tyre në Jerusalem dhe për të njohur Jerusalemin  si kryeqytetin izraelit para një marrëveshjeje për statusin përfundimtar”, tha një zëdhënës i kryeministres britanike Theresa May. “Ambasada britanike në Izrael është e vendosur në Tel Aviv dhe ne nuk kemi plane për ta lëvizur atë”, shtoi zëdhënësi britanik. Franca gjithashtu foli kundër lëvizjes së SHBA, duke thënë se Uashingtoni shkeli ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov përsëriti kundërshtimin e Moskës ndaj vendimit të SHBA, duke thënë se Moska “ka ofruar disa herë një platformë” për bisedimet mbi statusin e Jerusalemit. “Ne besojmë fuqimisht që është e papërshtatshme të rishikojmë në mënyrë të njëanshme vendimet e bashkësisë ndërkombëtare” tha diplomati më i lartë rus. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, gjatë një vizite në Londër, tha se Shtetet e Bashkuara kishin humbur rolin e tyre si ndërmjetës në Lindjen e Mesme duke e zhvendosur ambasadën e tyre në territoret e pushtuara. Kryeministri turk Binali Yildirim gjithashtu akuzoi SHBA për ndarjen e përgjegjësisë me Izraelin për “masakrimin mizor” të dhjetëra palestinezëve të hënën përgjatë kufirit me Gazën. Mbreti maroken Mohammed VI gjithashtu denoncoi “vendimin e njëanshëm të Uashingtonit”. Ministria e Jashtme egjiptiane, në një deklaratë, shprehu “denoncim të fortë” të përdorimit të forcës së Izraelit kundër civilëve palestinezë dhe tha se Kajroja “përkrah plotësisht të drejtat legjitime të popullit palestinez dhe para së gjithash të drejtën e tij për një shtet të pavarur me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij. “

Advertisements