Breaking News

Vuçiq: Serbia e ka vulosur pavarësinë e Kosovës

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, thotë se nuk ka frikë nga sanksionet eventuale të  Perëndimit në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, por e shqetësojnë  problemet, siç është ikja e popullit nga Serbia dhe shkalla ulët e natalitetit.

Ndërsa, thotë se vetë Serbia me politikën e saj të gabuar e ka vulosur pavarësinë e Kosovës. Vuçiq ka përkujtuar se “për këtë situatë dhe rrethanat shumë të këqija, në të cilat po zgjidhet çështja e Kosovës, jemi deri diku vetë përgjegjës, duke pasur parasysh politikën e gabuar të Serbisë dhe disa lëvizje me të cilat praktikisht i kemi vënë në zarfin e pavarësisë së Kosovës”. Presidentin serb, siç shkruan gazeta serbe “Blic”, e kanë pyetur gazetarët lidhur me informacionet për një marrëveshje ndërmjet Evropës dhe SHBA-së për Kosovën para pak ditësh në Washington, respektivisht për “Dokumentin e Washingtonit”. Ai theksoi se nuk ka parë kurrfarë dokumenti nga takimi i fundit i QUINT-it në Washington, duke thënë se “marrëveshja që ka mundur të arrihet atje nuk mund të jetë një surprizë e madhe, sepse janë vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”. “Nuk do të ketë sanksione, kjo është e gjitha që mund të them. Nuk pashë kurrfarë ‘Dokumenti të Washingtonit’. Kam dëgjuar çfarë disa ofrojnë si parime të tyre. Diçka më është thënë gjysmë zyrtarisht. Kjo nuk është asgjë e re”, tha ai. Vuçiq përkujtoi se vendet e QUINT-it njohën pavarësinë e Kosovës dhe “ato përpiqen të shohin se çfarë mund të bëjnë serbët për të njohur pavarësinë e Kosovës brenda kufijve të këtij shteti të vetëshpallur”.

Advertisements