Breaking News

Maqedonia dhe Greqia drejt zgjidhjes së çështjes së emrit

Më 17 maj në Sofje, do të takohen kryeministrat e Maqedonisë dhe ai i Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras, si vazhdim i tentimeve për të gjetur zgjidhje për çështjen e emrit.

 

Pritet të shihen rezultatet e takimit të tyre dhe më pas të konstatohet nëse dy vendet kanë arritur kompromis, pasi kryeministri Zaev në prill tha se kur opinioni do të dëgjojë për takimin e tyre, kjo do të thotë se ka mundësi të arrihet zgjidhje për emrin. Takimi mes kryeministrave vjen pas takimit të shefave të diplomacisë së dy vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, nën ndërmjetësimin e Matthew Nimetz. Pasi takimit, i dërguari i OKB-së, Nimetz tha se kanë pasur takim serioz, të tensionuar, por edhe të dobishëm për të dy palët. Ndërsa disa mediume greke publikuan disa skenare rreth arritjes së një marrëveshje mes Greqisë dhe Maqedonisë, ku sipas tyre marrëveshja do të nënshkruhet tani dhe do të plotësohet brenda dy viteve. Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij lidhur me çështjen e emrit me Maqedoninë dhe integrimin euroatlantik të fqinjit verior të Greqisë. Ai sot tha se që IRJM-ja të integrohet në NATO dhe BE duhet të bëjë revizion të kushtetutës dhe të largojë irredentizmin. “Për integrimin e IRJM-së në NATO dhe BE duhet të zgjidhet çështja e emrit, që si parakusht duhet të ketë revizion kushtetues dhe eliminim të irredentizmit. Kjo është mënyra e vetme që të shkohet para në integrimin e IRJM-së në NATO dhe BE”, tha Pavlopoulos në fjalimin e tij në Komunën e Peonisë, ku u shpall qytetar nderi. Ndërkohë, të dielën, kandidati i vetëm për kryetar të Partisë së Re Socialdemokrate, Tito Petkovski, ka folur edhe për çështjen e emrit me Greqinë, duke thënë se Maqedonia është afër për të zgjidhur këtë kontest, por edhe paralajmëroi se grekët janë tregtarë të shkëlqyeshëm dhe negociues edhe më të mirë. “Ata janë tregtarë të shkëlqyeshëm dhe negociues edhe më të mirë. Nuk e them unë këtë për herë të parë. Politika zyrtare greke, shteti grek, sidomos pas pavarësimit nuk kanë dashur asnjëherë të ekzistojë gjuha maqedonase, e as shteti maqedonas. Por mendoj se jemi afër arritjes së marrëveshjes për çështjen e emrit”, tha Petkovski. Të tilla zhvillime flasin për përpjekjet e Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen e kontestit mbi emrin e Maqedonisë, një çështje që ka helmuar prej vitesh marrëdhëniet dypalëshe dhe ka bllokuar proceset integruese të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Advertisements