Breaking News

Negociatat në Itali, shumë pranë arritjes së marrëveshjes për qeverinë

Së shpejti mund të ketë një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re italiane. Lega dhe Lëvizja 5 Yjet, të cilat vijojnë negociatat mes tyre, thonë se janë shumë pranë akordit që do t’i jepte zgjidhje ngërçit politik të krijuar në vend, pas zgjedhjeve jovendimtare të 4 marsit.

Negociatat për krijimin e një qeverie koalicioni mes Legës së qendrës së djathtë dhe Lëvizjes 5 Yjet po shkojnë mirë dhe një marrëveshje mund të arrihet së shpejti. Ka qenë kjo deklarata e përbashkët e dy partive pas takimit mes dy udhëheqësve të këtyre forcave, Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini.  “Janë bërë hapa të rëndësishëm në kompozimin e qeverisë dhe në emërimin e një kryeministri. Qëllimi është përcaktimi i gjithçkaje në një hapësirë të shkurtër kohore për t’i siguruar popullit një qeveri sa më shpejt,”-vijonte më tej deklarata, pas takimit mes Salvinit dhe Di Maios. Dy partitë, kundërshtare të kufizimeve buxhetore të diktuara nga Bashkimi Europian, kanë bërë premtime elektorale që do të kushtojnë miliarda euro për t’u zbatuar. Megjithatë, krijimi sa më i shpejtë i qeverisë mbetet parësor për Italinë, që është përfshirë në një ngërç politik që prej zgjedhjeve jovendimtare të 4 marsit, ku blloku i qendrës së djathtë, fitoi shumicën e vendeve në parlament, ndërkohë që 5 Yjet u konfirmuan si partia më e madhe në vend.

Advertisements