Breaking News

Ruhani: Irani është gati, Amerika “pendim historik”

Presidenti iranian z. Hasan Ruhani deklaroi se SHBA do të pendohet për një tërheqje të mundshme nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, duke siguruar që Irani ka plane për të kundërshtuar çdo pasojë që vjen nga ky vendim.

“Nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të largohen nga marrëveshja bërthamore, ju së shpejti do të shihni pendimin historik që do të sjellë ky vendim për Uashingtonin”, tha presidenti Ruhani në një tubim të zhvilluar të dielën me popullin e qytetit Sabzevar në Iranin verilindor. “Urdhrat janë lëshuar për Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit dhe disa ditë më parë, fola me zyrtarë të lartë të organizatës rreth programeve në vazhdim”, tha presidenti iranian duke shtuar: “Rruga jonë është mjaft e qartë, edhe sektori ekonomik ka marrë urdhrat e nevojshëm”. Më  tej, Ruhani tha: “Ne duhet ta dimë se asgjë nuk do të ndryshojë në jetën tonë javën e ardhshme.” “Çdo vendim që merr Trump, ne kemi një plan dhe program për ta kundërshtuar dhe rezistuar. Kombi ynë është një komb i lirë, i guximshëm dhe rezistent dhe armiqtë tanë, dashtë Zoti, do të turpërohen me komplotet e tyre”. Presidenti Ruhani ju drejtua SHBA-ve dhe evropianëve, duke thënë se Irani “është besnik ndaj premtimeve të tij, por në mënyrë të qartë i thotë të gjithë botës, Evropës, Amerikës, Perëndimit dhe Lindjes se ne nuk do të negociojmë me askënd për armët dhe mbrojtjen e vendit tonë “. “Ne do të ndërtojmë dhe do të ruajmë çfarëdo sasie armësh dhe raketash që nevojiten për sigurinë e vendit. Nuk është puna e askujt se çfarë vendimi ka marrë populli iranian për mbrojtjen e tij .Nuk do të flasim me askënd për raketat dhe fuqinë mbrojtëse “, tha z. Hasan Ruhani.

Advertisements