Breaking News

Irani rezervon të drejtën për tu përgjigjur nëse SHBA del nga marrëveshja bërthamore

Ministri i Jashtëm i Iranit, Muhamed Xhavad Zarif deklaroi të enjten se Republika Islamike rezervon të drejtën për t’u përgjigjur nëse SHBA-ja, si një palë nënshkruese e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, tërhiqet nga marrëveshja.

Në një video-mesazh të postuar në YouTube të enjten, Zarif e krahasoi angazhimin e plotë të Teheranit në pjesën e tij të marrëveshjes me shkeljen e  marrëveshjes nga Uashingtoni. Në 11 raste, tha ai, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore  ka konfirmuar se Irani ka zbatuar të gjitha detyrimet e tij në kuadër të marrëveshjes bërthamore, por “SHBA ka shkelur marrëveshjen në mënyrë të vazhdueshme sidomos duke kërcënuar të tjerët që të mos bëjnë biznes me Iranin”. Zarif gjithashtu kritikoi përuljen  e vendeve evropiane ndaj Presidentit të SHBA, Donald Trump. “Në vitin e kaluar, na është thënë se Presidenti Trump nuk është i kënaqur me marrëveshjen dhe tani duket se përgjigja e disa europianëve ka qenë t’i ofrojnë Shteteve të  Bashkuara më shumë lëshime nga xhepi ynë”, tha Zarif. “Kjo ofertë nënkupton premtime për një marrëveshje të re që do të përfshinte çështje të cilat ne të gjithë vendosëm t’i përjashtonim në fillim të negociatave tona, duke përfshirë potencialet mbrojtëse të Iranit dhe ndikimin e tij rajonal, por ju lutem kuptoni se për të dyja çështjet, është Irani dhe jo Perëndimi që ka ankesa të rënda dhe shumë për të kërkuar, “shtoi ministri i Jashtëm iranian. Diplomati i lartë iranian gjithashtu theksoi se Irani nuk do të rinegociojë marrëveshjen bërthamore. “Ne nuk do të negociojmë sigurinë tonë, as do të shtojmë ndonjë gjë në marrëveshjen që tashmë e kemi zbatuar në mirëbesim”, tha Zarif. “Shtetet e Bashkuara në ditët në vijim do të duhet të vendosin nëse do t’i përmbahen përfundimisht detyrimeve të tyre. Irani qëndron i patundur përballë përpjekjeve të padrejta dhe kërcënimeve, por nëse SHBA vazhdon të shkelë marrëveshjen ose nëse tërhiqet plotësisht, ne do të ushtrojmë të drejtën tonë për t’u përgjigjur në një mënyrë të zgjedhur prej nesh “, deklaroi ministri i Jashtëm iranian. “Me sanksione apo kërcënime SHBA nuk do të marrin një marrëveshje të re, veçanërisht pasi nuk po e respekton marrëveshjen që tashmë e ka nënshkruar”, deklaroi Zarif duke shtuar: ” SHBA është e këshilluar që më në fund të fillojë të respektojë angazhimet e saj ose do të duhet të pranojë përgjegjësinë për pasojat e sabotimit të marrëveshjes bërthamore”.

Advertisements