Breaking News

Polemikat për marrjen në pyetje të presidentit Trump

Presidenti Donald Trump e quajti “të turpshëm” faktin që një listë me pyetje që dëshiron t’i bëjë atij prokurori i posaçëm, i cili po heton rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, ka rrjedhur në media.

Gazeta New York Times publikoi mbrëmë vonë rreth 60 pyetje që iu dorëzuan avokatëve të zotit Trump, ku kërkohet të dihet rreth motiveve të presidentit për shkarkimin e drejtorit të FBI-së James Comey majin e kaluar dhe për kontaktet midis zyrtarëve të fushatës Trump dhe rusëve. “Është e turpshme që pyetjet në lidhje me këtë gjueti shtrigash rrjedhin në media”, shkruante Presidenti Trump sot në mëngjes në Twitter. Nuk ka bashkëpunim të fshehtë me rusët, ky është një krim i sajuar dhe i paqenë. Është një hetim që fillon me rrjedhjen e paligjshme të një informacioni të klasifikuar,” shkruan Presidenti Trump. Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka quajtur hetimin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller një “gjueti shtrigash” dhe këmbëngul se nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë. Ai gjithashtu ka akuzuar drejtorin e shkarkuar të FBI-së James Comey për rrjedhje të informacionit të klasifikuar. Zoti Mueller u caktua nga zëvendës prokurori i Përgjithshëm për të mbikëqyrur hetimin pas shkarkimit të zotit Comey nga Presidenti në maj 2017.Edhe pse ekipi i zotit Mueller u ka deklaruar avokatëve të zotit Trump se Presidenti nuk shihet si objekt i hetimit, hetuesit janë të interesuar të dinë nëse veprimet e presidentit përbëjnë pengim të drejtësisë, prandaj synojnë ta intervistojnë atë për disa episode gjatë presidencës së tij. Shumë nga pyetjet e zbuluara nga gazeta Nju Jork Times mbi çështjen e pengimit të drejtësisë, kanë të bëjnë me reagimin e Presidentit lidhur me faktin që Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions vendosi të heqë dorë nga mbikëqyrja e hetimit për Rusinë, vendim i cili u kritikua me zemërim nga zoti Trump.

Advertisements