Breaking News

Lideri Suprem: Ai që duhet të largohet nga rajoni është SHBA e jo Irani

Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei deklaroi se SHBA po nxit Arabinë Saudite dhe disa vende të tjera rajonale për të filluar një konfrontim me Iranin.

“Amerikanët po përpiqen të provokojnë sauditët dhe vende të caktuara në rajon dhe t’i shtyjnë ata kundër Republikës Islamike, por nëse kanë urtësi, këto vende nuk duhet të mashtrohen nga Shtetet e Bashkuara,” tha të hënën Lideri Suprem i Revolucionit Islamik. Ajetollah Khamenei në një takim me një grup punëtorësh dhe sipërmarrësish në Teheran, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, theksoi: “Amerikanët nuk duan të përballen me koston e konfrontimit me Republikën Islamike dhe me kombin e fuqishëm të Iranit, por synojnë që këtë barrë ta mbajnë disa shtete të rajonit”. “Disa vende në rajon duhet ta dinë se nëse konfrontohen me Republikën Islamike të Iranit, ata patjetër do të goditen dhe do të mposhten,” shtoi Ajetollah Khamenei. Ai tha se prania ushtarake e SHBA në Azinë Perëndimore është shkaku i pasigurisë, luftës dhe dhunës në këtë rajon. “Për këtë arsye, këmba e amerikanëve duhet të zhduket nga ky rajon dhe ata duhet të largohen nga Azia Perëndimore”, shtoi Lideri Suprem. Ajetollah Khamenei tha se ai që duhet të largohet nga rajoni është Amerika, jo Republika Islamike e Iranit. “Ne jemi nga ky rajon, dhe Gjiri Persik dhe Azia Perëndimore janë shtëpia jonë, por ju jeni të huaj me qëllime të errëta, duke kërkuar të nxitni përçarje dhe konflikte”, theksoi Lideri Suprem i Revolucionit Islamik. “SHBA nxit sauditët për të krijuar një konflikt në rajonin tonë, përse ata nuk nxisin sionistët, sepse duan që myslimanët të luftojnë kundër myslimanëve”, tha Ajetollah Khamenei. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik përmendi armiqësinë e gjatë të SHBA me Iranin, duke thënë se Uashingtoni po zhvillon një luftë ekonomike kundër Republikës Islamike. “Sot, lufta kundër nesh financohet nga Departamenti Amerikan i Thesarit. Si mund ta përballojmë atë? Ne investojmë në ekonominë tonë,” tha Ajetollah Khamenei. Ai shtoi: “Unë e theksova më parë gjatë mandatit presidentit të mëparshëm amerikan, se ka perënduar koha e goditjes dhe e largimit. Ata e dinë se nëse sulmojnë, do të marrin shumë goditje shumë më të forta”. SHBA, tha Lideri Suprem, tani e ka përqendruar vëmendjen në një luftë ekonomike dhe kulturore ndaj Iranit duke vendosur sanksione të reja pavarësisht nga një marrëveshje bërthamore me vendet e botës. “Përkrahja e mallrave iraniane është një nga mënyrat më të mira dhe më efektive për t’ju kundërvënë planeve ekonomike të armiqve, sepse ata e kanë kuptuar se ata nuk do të jenë në gjendje të kenë sukses në një konfrontim të vështirë ushtarak”. “Kur themi se mbështesim produktet iraniane, kjo do të thotë që duhet të krijohen vende pune. Kjo do të thotë që ne nuk duhet të kemi as një punëtor të papunë. Kjo do të thotë që të rinjtë e arsimuar nuk duhet të kërkojnë punë vetëm nëpër zyra”, shtoi Lideri Suprem i Revolucionit Islamik.

Advertisements