Breaking News

Britania, Franca dhe Gjermania shprehin mbështetjen për marrëveshjen bërthamore

Liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë kanë ripohuar mbështetjen e tyre për marrëveshjen bërthamore me Iranin, duke vënë në dukje se kjo është mënyra më e mirë për të mbajtur kufizimet në programin bërthamor të Iranit.

Sipas një deklarate të publikuar të dielën nga zyra e Kryeministres britanike Theresa May, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel e bënë këtë deklaratë në telefonata të ndara me kryeministren britanike, ndërsa po afrohet afati i 12 majit kur Presidenti i SHBA Donald Trump do të deklarohet nëse do të rivendosë sanksionet kundër Teheranit.  Të tre udhëheqësit europianë, megjithatë, thanë se marrëveshja bërthamore mund të duhet të zgjerohet për të mbuluar çështje të tjera, siç është programi raketor i Iranit. “Ata u zotuan të vazhdojnë të punojnë ngushtë së bashku me SHBA-në se si të trajtojnë sfidat që parashtron Irani – duke përfshirë ato çështje që mund t’i mbulojë një marrëveshje e re “, thuhet në deklaratë. Pretendimet e fundit nga liderët evropianë erdhën pasi Irani ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se çdo mosrespektim i marrëveshjes shumëpalëshe do të kishte pasoja të rënda, duke theksuar se nuk ka alternativë tjetër ndaj marrëveshjes bërthamore.

Advertisements