Breaking News

Kongresi amerikan: Rusia, kërcënimi më i madh i Ballkanit – nuk mund të presim që BE-ja t’i zgjidhë problemet

Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë angazhimin për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor, u shprehën pjesëmarrësit në një seancë dëgjimore të zhvilluar dje në Nënkomisionin për Evropën të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

Pjesëmarrësit theksuan se njëzet e tre vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, qëndrueshmëria e rajonit po kërcënohet nga ndikimi i dëmshëm nga faktorë të jashtëm, mungesa e përparimit në procesin e integrimit euroatlantik dhe konfliktet e pazgjidhura. Pavarësisht se rajoni nuk është aktualisht i kërcënuar nga një konflikt i dhunshëm, mos angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për t’iu kundërvënë ndikimit të jashtëm dhe për të trajtuar problemet e tjera mund të krijojë kushtet për konflikt në të ardhmen, thanë pjesëmarrësit. Amerika ka një përgjegjësi të vazhdueshme për të ndihmuar vendet e rajonit për të zgjidhur problemet e mbetura, tha ligjvënësi republikan Dana Rohrabacher, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën. “Nuk mund të rrimë mënjanë dhe të presim që Bashkimi Evropian të zgjidhë problemet. Përvoja ka treguar se Evropës i mungon vendosmëria politike për të udhëhequr dhe angazhimi ynë aktiv tani, do të pakësonte shanset për ndërhyrje më sfiduese në të ardhmen”, tha ligjvënësi Dana Rohhabacher, kryetar i nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë. Ndërsa, ligjvënësi demokrat Gregory Meeks theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë është një zhvillim inkurajues. Korrupsioni dhe institucionet e dobëta janë një sfidë tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që thekson nevojën për një angazhim më të madh amerikan dhe evropian për të ndihmuar rajonin në trajtimin e këtyre sfidave, thanë pjesëmarrësit.

Advertisements