Breaking News

Irani do të rifillojë programin e tij bërthamor me një ritëm më të shpejtë

Irani do të rifillojë programin e tij bërthamor me një ritëm më të shpejtë nëse SHBA tërhiqet nga marrëveshja bërthamore, tha Ministri i Jashtëm iranian, Muhamed Xhavad Zarif.

Zarif e bëri këtë deklaratë të premten në një intervistë me kanalin televiziv amerikan CBS. “Ne kemi përcaktuar një sërë mundësish për veten tonë dhe këto opsione janë gati, duke përfshirë opsionet për  rifillimin me shpejtësi më të madhe të aktiviteteve tona bërthamore”, tha Zarif për moderatoren e emisionit “Face the Nation”, Margaret Brennan. “Këto opsione janë të gatshme për t’u zbatuar dhe ne do të marrim vendimin e duhur kur ta shohim të arsyeshme”, tha Ministri i Jashtëm iranian. “Natyrisht pjesa tjetër e botës nuk mund të na kërkojë që në mënyrë të njëanshme  të zbatojmë një marrëveshje që tashmë është shkelur’, shtoi Zarif. Ministri i Jashtëm iranian paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të “pendohen” nëse e braktisin paktin bërthamor, sepse reagimi nga Republika Islamike dhe bashkësia ndërkombëtare do të jetë “i pakëndshëm” për amerikanët. Ministri i Jashtëm iranian mbërriti në Nju Jork të enjten në mbrëmje ku do të diskutojë gjithashtu mbi marrëveshjen bërthamore të Iranit. Marrëveshja, është një dokument ndërkombëtar i miratuar nga Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të OKB. Donald Trump, i cili mori detyrën e presidentit të SHBA një vit pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, ka qenë një kritik i zhurmshëm i saj. Ai e ka quajtur marrëveshjen si “marrëveshja më e keqe ndonjëherë” dhe madje ka kërcënuar se do ta anulojë atë.

Advertisements