Breaking News

Dëmtohen marrëdhëniet Kroaci-Serbi

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq ka deklaruar sot në Shibenik se marrëdhëniet e Kroacisë dhe Serbisë tani janë dëmtuar.

E gjithë kjo pas incidentit të shkaktuar nga Vojisllav Sheshel duke përdhosur flamurin kroat gjatë vizitës së delegacionit parlamentar kroat në Serbi. “Serbia duhet të konstatojë se a është e vërtetë që Sheshel ka bërë atë që ka thënë. Nëse kjo vërtetohet se ka shkelur me të vërtetë flamurin e Kroacisë, ai duhet dënuar në mënyrë adekuate. Dënimi për një akt të tillë në Serbi është tre muaj burg ose gjobë me të holla”, tha Kitaroviq. Edhe Komisioni Evropian kritikoi të enjten një incident në Serbi, në të cilin ligjvënësi ultranacionalist serb, Vojisllav Sheshel, ka përdhosur flamurin e Kroacisë brenda Parlamentit të Serbisë. “Ajo që pamë dje nuk i përket një institucioni demokratik”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian. “Është në fakt mungesë respekti për një institucion demokratik që përfaqëson qytetarët dhe të gjithë ata që punojnë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal”, tha ai. Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE. Shesheli e ka hedhur flamurin kroat në tokë dhe ka shkelur mbi të.

Advertisements