Breaking News

Mogherini uron shqiptarët në gjuhën shqipe

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian (BE), Federica Mogherini i ka uruar në shqip qytetarët shqiptarë nga selia e kryeministrisë në Tiranë një ditë pas vendimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

  “Urime! Jam krenare që sot jam në gjendje t’ju sjell në Tiranë vendimin që KE mori dje për të dhënë rekomandimin pozitiv për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në mënyrë që Këshilli i Europës të nisë negociatat për anëtarësim në BE”, deklaroi Mogherini. Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Mogherini nënvizoi se ky është rezultati i një pune kolektive. “Ky ishte rezultat i përbashkët. Mendoj se do të jetë një ditë e një njohjeje kolektive. Rezultati i institucioneve të vendit, Presidentit, Qeverisë, bashkive, por edhe i të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha më tej ajo.

Mogherini nuk harroi ta ripërsërisë sërish edhe sot në Tiranë atë që tha dje nga Strasburgu kur njoftoi hapjen e negociatave se procesi mbështetet në meritë. Këtë, nënvizoi ajo, do ta përsërisim gjithmonë.

Shefja e diplomacisë europiane po ashtu solli në vëmendje edhe qëndrimin e saj një vit më parë ku në emër të KE-së i kishte përcjell popullit shqiptar mesazhin se KE do të kishte dhënë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, kur të nisë zbatimi i reformës në drejtësi dhe posaçërisht Vetting-u. “Ju e realizuat atë dhe ne e përmbushëm atë që thamë”, deklaroi Mogherini.

Shqipëria, theksoi Mogherini, ka përmbushur kushtet që ishin vendosur në raportin e rekomandimeve të fundit të miratuara një vit e gjysmë më parë dhe ajo është e gatshme për të hapur negociatat, duke mbajtur e thelluar reformat që janë ndërmarra. Kjo, sipas saj, është edhe puna që duhet bërë më tej.

Duke vënë theksin te vokacioni europian i popullit shqiptar, Mogherini tha se integrimi i Shqipërisë është edhe në interes të vetë BE-së.

“Nuk është vetëm vendosmëri e popullit, por edhe në interes të BE-së ta marrë Shqipërinë të hyjë në të, kur ajo të jetë gati dhe shpresoj se ajo të jetë gati shpejt. 5 përparësitë që tashmë i dini mbeten elementët kyç, mbi të cilat shqiptarët do të gjykojnë e vlerësojnë kapacitetet e institucioneve dhe baza e punës sonë të përbashkët”, vlerësoi Mogherini.

Po ashtu, shefja e diplomacisë europiane e konsideroi mjaft të rëndësishëm rolin e Shqipërisë në rajon.

“Më lini të njoh rolin pozitiv që Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë, duke u përqendruar në bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë me fqinjët dhe vendet e tjera në rajon, që është tejet me rëndësi. Në Ballkanin Perëndimor, politika e zgjerimit të BE-së kthehet në ADN e projektit integrues europian, që është pajtimi dhe paqja. Ndaj marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkërendimi e bashkëpunimi në rajon është një element thelbësor i arsyes se pse ne jemi bashkuar në Union. Veçanërisht në këtë rajon, besoj se është me rëndësi. Urime edhe për këtë, sepse besoj se po dëshmoni vendosmëri dhe vullnet të mirë për të përmirësuar marrëdhëniet me partnerët e tjerë në rajon”, nënvizoi Mogherini.

Mogherini vlerësoi edhe politikën e jashtme të ndjekur nga qeveria shqiptare, të cilën e quajti 100% të harmonizuar me BE-në.

“Shqipëria është një vend që është 100% në të njëjtën linjë me ne, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Kjo nuk është pa rëndësi, duke qenë se është një qëndrim që ne e bashkëndajmë në skemën botërore. Kjo është diçka me vlerë, e rëndësishme. Falenderoj kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm për këtë punë të mirë në këtë fushë”, tha kryediplomatja europiane.

Mogherini kërkoi bashkëpunimin e të gjitha palëve, qeverisë dhe opozitës, për vijimin e punës, duke theksuar se nevojitet një angazhim më i madh i vendit pas hapjes së negociatave.

“Mbaj mend edhe dasitë, edhe përpjekjet apo luftërat, por siguroj se është momenti për të njohur rezultatin e arritur nga të gjithë bashkë në Shqipëri. Momenti për t’u angazhuar dhe punuar së bashku, qeveria me opozitën, institucionet e vendit, qytetarët shqiptarë. Nevojiten përpjekje kolektive. Nuk janë vetëm institucionet, por edhe njerëzit. Të gjithë së bashku të vazhdojmë këtë punë që do të jetë edhe më e madhe kur të nisin negociatat. Ky është një proces që lejon një transformim më të madh të vendit”, apeloi Mogherini.

Këtu ajo theksoi se Shqipëria është vendi që ka transformuar veten më shumë në Europë gjatë dekadës së fundit.

Rekomandimi i KE, përpjekje kombëtare

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini u shpreh se Komisioni Europian dha rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave, duke pasur parasysh se ky është një rezultat i të gjitha palëve në vend dhe përgjegjësi e po të gjithëve kur bëhet fjalë për të ardhmen.

“Është në interes të shumicës e pakicës, qeverisë dhe opozitës, për të bashkuar forcat, e hedhur hapa drejt ruajtjes e thellimit të të gjitha reformave, që janë kyçe për procesin në vijim”, deklaroi Mogherini.

Ky ishte mesazhi që ajo përcolli e pyetur në konferencën për shtyp që zhvilloi në Tiranë, për qëndrimin e opozitës në vend.

Nëse Shqipëria dha rezultate në reformën e drejtësisë dhe procesin e Vetting-ut, siç u shpreh Mogherini, kjo ndodhi sepse forcat politike u bënë bashkë.

Unë, tha ajo, do të takohem gjatë ditës, më vonë me opozitën dhe se mesazhi për ta do të jetë saktësisht i njëjtë, si ai që thashë për qeverinë, kryeministrin.

“Ky nuk është rezultat i njërës parti apo tjetrës, rezultat për qeverinë apo opozitën, i një institucioni apo tjetri. Është një rezultat i të gjithë atyre që kanë punuar gjatë dekadës së fundit për të transformuar vendin kaq thellësisht. Mund ta festojnë rekomandimin pozitiv dhe jo vetëm të marrin meritën për këtë, por edhe përgjegjësinë, kur bëhet fjalë për të ardhmen”, u shpreh Mogherini.

Sipas saj, nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e BE-së që rrugëtimi drejt anëtarësimit europian të jetë përdorur nga një parti, apo tjetër.

“Kjo është një përpjekje kombëtare. Nëse e shoh dhe e lexoj si duhet shoqërinë shqiptare, shoh mjaft unitet mes njerëzve të këtij vendi, kur bëhet fjalë për aspiratën për anëtarësim në BE”, shtoi Mogherini.

E pyetur për marrëdhëniet e forcave politike në vend, Mogherini theksoi se vinte nga një vend ku e kuptonte kompleksitetin e kësaj marrëdhënie, por tha ajo, nuk është momenti për të komentuar diçka të tillë.

Duke e lidhur këtë me integrimin europian të Shqipërisë, Mogherini përcolli mesazhin se “aspirata e qytetarëve tuaj vjen e para dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për një ëndërr që kalon breznitë e mundet të përmbushet”.

E përsëris, theksoi ajo, se ky proces nuk është çështje e partive politike, opozitës apo qeverisë, por përpjekje kombëtare.

Vendimi i Këshillit, politika e zgjerimit mbështetet në merita

Përfaqësuesja e lartë e politikës së Jashtme të BE-së, shprehu besimin se Këshilli i Europës do të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, pasi siç theksoi ajo, politika e zgjerimit mbështetet në meritë dhe rekomandimi i Komisionit Europian ishte qartësisht pozitiv.

“Dje komisioni u shpreh se vlerësimi që ne bëjmë (dhe kjo i takon Komisionit) është se kushtet janë përmbushur dhe se Shqipëria është gati të nisë negociatat. Ne dhamë një rekomandim qartësisht pozitiv për Këshillin që të marrë vendimin duke menduar që reformat do të vazhdojnë, do të ruhen e thellohen”, u shpreh ajo.

Rekomandimi i Komisionit, theksoi ajo, është një rekomandim i pakushtëzuar në terma teknike, duke menduar që gjërat do të vazhdojnë në mënyrën që i kemi parë gjatë këtij viti e gjysmë, me fokus kryesor në arritjen e rezultateve konkrete.

Më pas, tha kryediplomatja europiane, i takon Këshillit Europian që të marrë vendim.

Por, vijoi Mogherini, politika e zgjerimit mbështetet në vlerësimin mbi bazën e meritës dhe vlerësimit teknik që i takon Komisionit.

“Mendoj se kemi lajm shumë të mirë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin. Shqipëria është e vetëdijshme se çfarë nënkupton reformimi dhe shndërrimi i një vendi duke qenë se e keni bërë këtë. Këtu fillon gara”, deklaroi Mogherini.

Integrimi i Ballkanit, ribashkim i kontinentit

Integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE-së, Federika Mogherini e sheh si ribashkim të kontinentit europian.

“Është çështje e bashkimit të një kontinenti, ndaj është e rëndësishme të bëjmë përpjekje të mëdha, të tregojmë vullnet të mirë e kompromis për të zgjidhur çështje dypalëshe që janë të hapura”, theksoi ajo.

Mogherini lavdëron Shqipërinë për negociatat me Greqinë 

Në konferencën e mbajtur në Tiranë, Mogherini komentoi edhe negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Më lini të lavdëroj punën që është në vazhdim e sipër me Greqinë. E inkurajoj tërësisht e shpresoj se do të finalizohet sa më shpejt të jetë e mundur. Besoj realisht se të kesh kurajon, mençurinë e pragmatizmin për zgjidhjen e çështjeve të së kaluarës, në mënyrë konstruktive, është mënyra më e mirë për të ndërtuar të ardhme të ndritur për vendet përkatëse e Europën”, u shpreh Megherini.

Procesi i reformimit në BE mund të shkojë krah për krah me ribashkimin e kontinentit

E pyetur nga gazetarët, Mogherini komentoi edhe qëndrimin e presidentit francez, Emmanuel Macron për një reformë të thellë të Europës.

“Duke e parë veten tonë, përmes syve tuaj mendoj se është gjë e mirë debati për të ardhmen e BE-së. Procesi i reformimit në BE mund të shkojë krah për krah me procesin e ribashkimit të kontinentit”, theksoi ajo.

Është një çështje serioze ajo që ka ngritur Macron, vijoi Mogherini, flet për mënyrën se si BE të funksionojë më mirë.

Këndvështrimi im personal, shtoi Mogherini, është se e ardhmja e BE-së do të jetë më shumë se 27, sepse po negociojmë dhe jemi gati të negociojmë me disa vende.

Advertisements