Breaking News

Raporti i Përparimit për Maqedoninë, vlerësimet pozitive nga Komisioni Evropian

Komisioni Evropian (KE) publikoi dje Raportin e Përparimit për Maqedoninë, ku janë përfshirë çështjet kyçje të arritjeve, por edhe të ngecjeve të vendit.

Raporti është i ndarë në tre pjesë, kriteret politike që përmbajnë një sërë çështjesh, kriteret ekonomike dhe në legjislaturën evropiane, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Në kriteret politike, KE-ja konsideron se Maqedonia e ka tejkaluar krizën më të thellë politike, që nga viti 2001, sidomos me ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar, që u dënuan ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.

KE-ja konsideron se pas formimit të Qeverisë së orientuar në reforma, Maqedonia është duke ecur në ndryshime themeltare në një aspekt më gjithëpërfshirës dhe atmosferë të hapur politike, kurse zgjedhjet lokale konfirmuan mbështetjen për politika të orientuara evropiane të Qeverisë së koalicionit. Gjithashtu vlerësohet se vendi ka arritur një forcim në demokraci dhe sundimin e ligjit.

Sipas raportit, Maqedonia ka bërë përgatitje mesatare për reforma në administratën publike, përmes miratimit të strategjisë reformuese dhe menaxhimit të financave publike, ku janë ndërmarrë masa konkrete për më shumë transparencë dhe përgjegjësi, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Sa i përket sistemit gjyqësor, Raporti vlerëson se është arritur përparim i pakët, kryesisht në atë që shkruhet në letër, dhe se Maqedonia ka miratuar një strategji të besueshme reformuese në gjyqësi që shtron bazën për reforma të mëtutjeshme, ndërsa janë rregulluar disa aspekte ligjore që janë në një linjë me Komisionin e Venedikut. Në këtë drejtim, KE-ja konsideron se edhe Prokuroria Speciale Publike ka më pak pengesa nga gjykatat, duke e lejuar që të punojë me më shumë efektivitet.Komisioni konsideron se Maqedonia ka arritur një nivel të përgatitjes për të luftuar korrupsionin, përmes legjislativit dhe kornizave institucionale. Ngjashëm vlerësohet edhe luftimi i krimit të organizuar, ku thuhet se legjislacioni është në një linjë me standardet evropiane, kurse reforma janë bërë në zbulimin e komunikimeve.

Advertisements