Breaking News

Moska: Sulmi kimik në Siri u krye nga agjentë të huaj

Rusia kaloi në kundërsulm ndaj Perëndimit këtë të premte lidhur me sulmin kimik në Siri. Kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, deklaroi  se sulmi me armë kimike në Siri është ndërmarrë nga agjentë të shërbimeve sekrete të huaja.

Më herët Shtetet e Bashkuara dhe Franca kishin deklaruar se kanë prova që një gjë e tillë ka ndodhur, e së bashku me Britaninë e Madhe po konsiderojnë të kundërpërgjigjen me ndërhyrje ushtarake. Rusia, e cila ka forca ushtarake të vendosura në Siri në mbështetje të qeverisë siriane, ka paralajmëruar se goditjet ajrore të SHBA rrezikojnë të nisin një luftë më të gjerë. Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka theksuar ndërkohë se Lindja e Mesme është në “kaos” dhe se Lufta e Ftohtë “po rikthehet me forma hakmarrjeje”. Antonio Guterres foli gjatë një takimi special të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur pikërisht nga Rusia. Inspektorë të pavarur të armëve kimike pritet të mbërrijnë në Siri gjatë së shtunës, pikërisht në zonën ku dyshohet të jetë kryer sulmi me armë kimike. Gjatë një konference shtypi të premten, Lavrov tha se ai kishte “prova të pakundërshtueshme” se sulmi ishte organizuar si pjesë e një “fushate rusofobike” të udhëhequr prej vetëm një shteti, emrin e të cilit nuk e përmendi. Një delegacion i Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike (OPAK) pritet të nisë hetimin e vet në rajonin e Ghoutës Lindore, në Siri, megjithëse për këtë lëvizje nuk jepen shumë detaje për arsye sigurie.

Advertisements