Breaking News

Vlerësimi i SHBA nuk e përcakton qeverinë siriane si autore të sulmit kimik në Duma

Një vlerësim fillestar nga Shtetet e Bashkuara nuk ka përcaktuar nëse një sulm kimik i raportuar në qytetin sirian të Dumas është kryer nga forcat qeveritare siriane, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Vlerësimi gjithashtu sugjeroi që një agjent i ri është përdorur në sulmin kimik, por dëshmi të mëtejshme nevojiten për të përcaktuar llojin e agjentit, thanë burimet e qeverisë amerikane për agjencinë e lajmeve Reuters. Presidenti amerikan Donald Trump, të dielën fajësoi qeverinë siriane dhe Rusinë për incidentin kimik të së shtunës në periferi të Damaskut dhe paralajmëroi se qeveria siriane do të paguante “një çmim të madh”. Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit tha të hënën se ishte duke u konsultuar me aleatët e SHBA për një përgjigje të mundshme, duke theksuar se “do të ketë pasoja për këtë mizori të papranueshme”. Sekretari i Mbrojtjes James Mattis u tha gazetarëve në Uashington se ai nuk do të përjashtonte veprimet ushtarake siç janë sulmet ajrore nëse përcaktohet se qeveria siriane ishte përgjegjëse për sulmin kimik në Duma. Damasku zyrtar kundërshtoi me forcë akuzat për përdorimin e armëve kimike dhe tha se grupi i ashtuquajtur terrorist i Xheish al-Islam, i cili ka prani dominuese në Duma, po përhapte akuzat “në një përpjekje të hapur për të penguar përparimin e ushtrisë siriane”.

Advertisements